Ndodh çdo ditë, Lira Gjika “u tërheq veshin” prindërve: Mos lejoni askënd t’i bëjë këtë pyetje fëmijës tuaj

Psikologia dhe pediatrja Lira Gjika ju vjen shpeshherë në ndihmë prindërve me postimet e saj në Facebook, ku ndan herë pas here studime dhe këshilla edukimin dhe rritjen e shëndetshme të fëmijëve.

Së fundmi, ajo ka trajtuar një temë për të cilën me siguri secili prej nesh ka qenë një herë apo disa herë ‘viktimë’. Si je me mësime? A mëson në shkollë? Pse nuk mëson, shumë gabim që s’je nxënës i mirë? Këto pyetje i kemi dëgjuar sa e sa herë të na drejtohen kur kemi qenë të vegjël. E duket se këto kureshtje të një të huaji drejtuar një fëmije të vogël nuk janë aspak normale.

“Shkon mirë me mësime ti?”, “He si je ti, nxënës i mirë?” Me këto shprehje i drejtohej një zonjë një djali gjashtëvjeçar, i cili e shikonte me frikë dhe habi këtë zonjë, që nuk e përfillte as mamin dhe as nënën, që heshtnin me buzëqeshje ironike. dhe nuk mjaftonte heshtja e tyre, gjyshja lëvizi me trup në formë përçmuese ndaj djalit duke i kthyer kurrizin atij. Këto skena, ku fëmijët ndodhen vetëm përballë njerëzish të panjohur, të cilët i kërkojnë “hesap” edhe pse prindërit janë të pranishëm, janë skena të zakonshme në rrugët tona. Nuk e di pse e lejojmë tjetrin të na marrë në pyetje fëmijën dhe ne të rriturit pranë fëmijës, jo vetëm që heshtim, por edhe bëhemi palë me atë tjetrin e “tmerrshëm” dhe jo me fëmijën. Kjo sjellje prepotente dhe paedukatë e të rriturve duhet të lihet “jashtë përdorimit” me fëmijët, pasi është e dëmshme. Ne të rriturit duhet të mendohemi para se të flasim dhe ti zgjedhim mire fjalët dhe sidomos pyetjet dhe lëvizjet përçmuese, ndaj fëmijës. Prindërit nuk duhet të rrinë pasivë në raste të tilla, por të ndërhyjnë duke e lavdëruar fëmijën dhe jo ta lejojnë tjetrin, kushdo qoftë, të bëjë fëmijën të ndihet i vetëm dhe i përçmuar. E ardhmja është përgjegjësi e të rriturit. Çfarë modeli dhe etike do të përdorë dhe ofrojë ai, i rrituri fëmijës, ashtu do të jetë fëmija i rritur nesër”-shkruan ajo.


Shtuar 1.02.2022 11:16