“S’ka vdekur njeri nga një shpullë”. Po si të sillemi? Lira Gjika tregon sekretin

“Hajt se nuk e gjen gjë nga e bërtitura, as nga një shpullë. Askush s`ka vdekur nga një pëllëmbë.”, janë disa nga fjalitë përmes së cilave prindërit justifikojnë dhunën e bërë ndaj fëmijëve qoftë ajo fizike apo verbale. Pikërisht mbi këto fjali ka reaguar së fundmi Lira Gjika.

Po është e vërtetë që asnjë fëmijë nuk vdes nga një e bërtitur apo nga një shpullë, por çfarë vdes në këtë rast?

“Po si të sillemi, kur fëmijët nuk na dëgjojnë- pyesin disa nëna dhe vazhdojnë- disa të bërtitura dhe nga një shpullë mbrapa nuk bën asgjë?. Po, është e vërtetë që nga një shpullë dhe disa të bërtitura fëmija nuk vdes . Po për fat të keq, vdes figura e të rriturit si model i së mirës, i vullnetit, i durimit dhe qytetares. I rrituri ndaj fëmijës duhet të reagojë vetëm nëpërmjet fjalës dhe butësisë. I rrituri duhet të dënojë veprimin dhe jo fëmijën, siç për fat të keq ndodh zakonisht. I rrituri fiksohet te fëmija dhe harron të mendojë se si duhet ta menaxhojë situatën, cili duhet të jetë reagimi i tij. Për fat të keq, këtë lloj të sjelli dhe të menduari, nuk e hasim as në institucionet e edukimit, si kopshte dhe shkolla.

Prindërit , të cilet vijnë nga eksperienca fëmijërie të ashpra e kanë të vështirë të sillen ndryshe me fëmijët e tyre. Njeriu nuk i shpëton dot fëmijërisë. Ajo apo ai, vazhdon ta përsërisë në mënyrë të pavullnetshme sjelljen që kanë ushtruar ndaj saj apo tij, në fëmijëri, madje pa e kuptuar . Për fat të mirë edhe në Shqipëri, po shtohet numri i nënane dhe baballarëve, që i kanë në qendër të vëmendjes fëmijët e tyre dhe me heroizëm, përballojnë veten, që fëmijët e tyre të mos i rrisin siç janë rritur vetë, me të bërtitura, padurim, mallkime dhe të rrahura. Këta prindër përpiqen t’ a mësojnë njerëzoren, ashtu siç dëshirojnë, (pasi njerëzorja mësohet, nuk është e lindur), nëpërmjet fjalëve të menduara e të përzgjedhura nëpërmjet dashurisë dhe jo sipas ngarkesave emocionale dhe padurimit e mërzisë?, shkruan Lira Gjika.

Shtuar 21.01.2022 14:45