Flini me kafshët shtëpiake? Si ndikon ky veprim tek ju dhe tek ata

Pyetjes “A është mirë të flesh me kafshët shtëpiake” ekspertët i kanë dhënë një përgjigje e cila tradicionalisht ka qenë “Jo”, megjithatë çështja nuk është kaq e mbyllur.

“Kafshët mund të lëvizin, të lehin dhe të prishin gjumin. Gjumi te qentë (dhe macet) nuk është i vazhdueshëm dhe ata në mënyrë të pashmangshme do të ngrihen dhe do të ecin në shtrat, duke shkelur njerëzit. I gjithë ky aktivitet do të çojë në prishjen e gjumit,” tha për CNN Dr. Vsevolod Polotsky, profesor në departamentin e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.

Këto “mikrozgjime”, të cilat mund të ndodhin pa vetëdijen tuaj, “ju nxjerrin nga gjumi i thellë,” tha Kristen Knutson, një profesoreshë e asociuar e neurologjisë dhe mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Feinberg të Universitetit Northwestern. “Ato shoqërohen me lirimin e hormonit të stresit, kortizolit, i cili mund ta përkeqësojë gjumin”.

Kjo mund të jetë e vërtetë për shumë prej nesh, por studimet e fundit kanë treguar se kafshët shtëpiake në dhomën e gjumit mund të jenë të dobishme.

“Njerëzit me depresion ose ankth mund të përfitojnë nga mbajtja e kafshëve në shtrat,” tha specialisti i gjumit Dr. Raj Dasgupta.

Fëmijët mund të përfitojnë gjithashtu nga gjumi me një kafshë shtëpiake.

Flini me kafshët shtëpiake? Si ndikon tek ju (dhe te kafshët)

Megjithatë duhet të keni parasysh se duhet të mendoni edhe për kafshët. Për shembull, qentë ose qenushët e vegjël që kanë probleme me ankthin, mund të mos ndihen mirë nëse flenë në shtrat me ju. Për ta është më mirë të flenë në një hapësirë ku ka mbrojtje në 3 nga 4 anë në mënyrë që ata të mendojnë se janë në një mjedis të sigurt.

Gjithashtu duhet të konsultoheni me veterinerin për kushte specifike për shëndetin dhe sigurinë e kafshëve nëse doni t’i merrni me vete në shtrat.

Shtuar 27.05.2022 15:12