Zgjedhja e përsëritur e të njëjtave ngjyra, prerje dhe kombinime mund të lidhet me nevojën për siguri, dashurinë për rutinën ose me faktin se tashmë e dini çfarë ju përshtatet.
Të lidhura
None found
Jo të gjithë njerëzit kanë dëshirë të rinovojnë vazhdimisht garderobën apo të ndjekin çdo trend të ri të modës. Disa prej tyre preferojnë t’u qëndrojnë besnikë modeleve, ngjyrave dhe kombinimeve që kanë provuar më parë, duke ndryshuar stilin vetëm në detaje të vogla.
Megjithatë, veshja vazhdimisht me rroba të ngjashme mund të japë edhe disa të dhëna për mënyrën tuaj të të menduarit dhe personalitetin.
Përsëritja e të njëjtave kombinime në garderobë, si xhinset me pulovra të gjera, fustanet e thurura apo veshjet në pak ngjyra të sigurta, mund të nënkuptojë se ndiheni më mirë te e njohura sesa kur eksperimentoni me pamjen.
Kur një person zgjedh vazhdimisht stile të ngjashme dhe nuk largohet lehtë nga ato që njeh, veshja mund të kthehet në një hapësirë rehatie.
Një shpjegim i mundshëm është frika nga ndryshimi. Prerjet e reja, ngjyrat e ndezura ose veshjet që tërheqin më shumë vëmendje mund t’i bëjnë disa persona të ndihen të ekspozuar. Për këtë arsye, ata preferojnë opsionet që u japin siguri.
Kjo sjellje mund të shoqërohet edhe me rezervimin, ndrojtjen ose një prirje të theksuar për të ndjekur rutinën.
Një arsye tjetër lidhet me shmangien e lodhjes që sjell vendimmarrja. Kur e keni të qartë se cilat veshje ju rrinë mirë dhe me cilat ndiheni rehat, zgjedhja e veshjes së mëngjesit bëhet shumë më e thjeshtë.
Një kombinim i testuar më parë ju kursen kohë, është praktik dhe nuk kërkon mendim të gjatë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, të preferosh të njëjtin stil nuk do të thotë domosdoshmërisht se ke frikë nga ndryshimi apo se je person i pavendosur.
Në shumë raste, kjo tregon vetëm se e njihni mirë veten dhe nuk shihni arsye për të ndryshuar diçka me të cilën jeni të kënaqur.
Një stil i qëndrueshëm mund të tregojë gjithashtu se dini cilat prerje, materiale dhe ngjyra ju përshtaten më shumë dhe ju bëjnë të ndiheni mirë.
Nëse vini re se shmangia e risive nuk ndodh vetëm në garderobë, por edhe në fusha të tjera të jetës, mund të jetë e dobishme të provoni një ndryshim të vogël.
Nuk është e domosdoshme të riformatoni të gjithë stilin tuaj. Mund të nisni me një ngjyrë që nuk e keni përdorur më parë, një prerje pak më të ndryshme ose një veshje që zakonisht nuk do ta zgjidhnit.
Ndërrimi i garderobës nuk do t’ju ndryshojë medoemos jetën, por mund t’ju ndihmojë të bëni një hap të vogël jashtë rutinës dhe ta shihni veten nga një këndvështrim tjetër.
