Shumë persona po hedhin piper të zi në lavatriçe me shpresën se kështu do të shmangin zbehjen e rrobave, por specialistët theksojnë se ekzistojnë mënyra shumë më efikase për ruajtjen e ngjyrave.
Edhe pse larja e rrobave mund të duket një proces i thjeshtë, në praktikë ajo shoqërohet me shumë dilema. Ujë i ftohtë apo i ngrohtë? Duhet bërë ndarja mes rrobave të bardha dhe atyre me ngjyra? Cili cikël larjeje është më i përshtatshëm?
Të lidhura
None found
Meqë përgjigjet e sakta nuk janë gjithmonë të qarta, shumë njerëz i drejtohen vazhdimisht metodave të ndryshme që premtojnë rroba më të pastra dhe ngjyra më të ruajtura.
Një prej tendencave më të çuditshme që po qarkullon së fundmi në internet është përdorimi i piperit të zi në rrobalarëse.
Sipas shumë blogerëve, mjafton një lugë çaji piper i zi i bluar, i hedhur së bashku me detergjentin, që të ndihmojë në mbrojtjen e ngjyrave nga zbehja gjatë larjes.
Mbështetësit e kësaj metode pretendojnë se piperi vepron si një lloj “eksfoliuesi” natyral, duke larguar mbetjet e sapunit, të cilat mendohet se ndikojnë në humbjen e ngjyrës.
Po ashtu, ata thonë se rrobat nuk marrin aromë piperi, pasi gjatë ciklit të larjes ai shpëlahet plotësisht, transmeton Telegrafi.
Por a është kjo një zgjedhje e mirë? Ekspertja e pajisjeve shtëpiake dhe dizajnit të enterierit, Cindy Bailen, shprehet se edhe pse kjo praktikë mund të mos jetë e rrezikshme, nuk është domosdoshmërisht e dobishme.
“Nuk mendoj se është ideja më e mirë. Nuk besoj se është e rrezikshme, por duket paksa pa kuptim. Pse do të krijonit qëllimisht efekt abraziv mbi rrobat? Pikërisht konsumimi dhe fërkimi çojnë në zbehjen e ngjyrave”, shpjegon ajo.
Sipas saj, në internet qarkullojnë edhe këshilla për përdorimin e uthullës gjatë larjes. Megjithatë, Cindy thekson se as kjo metodë nuk sjell ndonjë ndryshim të madh, ndonëse uthulla mund të ndihmojë disi në rifreskimin e ngjyrave të dëmtuara nga detergjentet e fortë.
Për të parandaluar në të vërtetë zbehjen e rrobave, ajo rekomandon disa hapa të thjeshtë: larjen me ujë të ftohtë, shmangien e mbushjes së tepërt të rrobalarëses ose tharëses, si dhe larjen e xhinseve jo pas çdo veshjeje, por vetëm pas 5 deri në 10 përdorimesh.
Në shumë raste, zgjidhja më e mirë nuk lidhet me shtimin e përbërësve të rinj, por me një kujdes më të madh gjatë mënyrës së larjes së rrobave.
