Çdo hundë është unike përsa u përket formës dhe përmasave, por hunda e burrave është më e madhe se ajo e grave.
Hunda e burrave është 10% më e madhe se ajo e grave, sipas një studimi të universitetit të Iowa-s, SHBA. Kjo shpjegohet nëpërmjet një shkaku shkencor shumë të saktë: burrave u duhet të thithin më shumë oksigjen se grave për të ushqyer masën e tyre muskulore.
Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët u morën me studimin e zhvillimit të fytyrës së 38 personave që nga mosha 3 vjeç deri në moshën 20 vjeç. Ata zbuluan se ndryshimi i përmasave të hundës midis vajzave dhe djemve fillon rreth moshës 11 vjeç. Është pikërisht mosha kur djemve fillon t’u zhvillohet masa e muskujve jo-dhjamore, ndërsa vajzave masa dhjamore.
Më përpara, në literaturën shkencore, ishte diskutuar shumë për ndryshimin e përmasave të hundës së grave dhe burrave, por ishte hera e parë që studiuesit merreshin me lidhjen e madhësisë së hundës me madhësinë e trupit të burrave dhe grave.
Pra, hunda nuk është vetëm një zbukurim i fytyrës, por edhe një zgjatim i mushkërive. Ky studim është botuar ditët e fundit në American Journal of Physical Anthropology.