SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar pas firmosjes së masave të sigurisë për ish zyrtarët e përfshirë në koncesionin e sterilizimit.
Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se janë kryer një numër jashtëzakonisht i madhe veprimesh hetimore dhe analiza lidhur me këtë koncesion.
Akuzat e ngritura janë falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre e mashtrim.
Shtetasi Klodjan Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj janë lënë në burg.
Arrest shtëpie është vendosur për Saimir Kadiun drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë..
Kirurgu Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është në detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur për Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Akuzat që rëndojnë mbi ta, janë falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e policisë gjyqësore janë kryer një numër jashtëzakonisht i madh veprimesh hetimore në analizë të të cilave (deri në këtë fazë të hetimit) me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49 akti datë 23.06.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
1. Caktimin ndaj personit nën hetim K.R. të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim I.Rr, të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
3. Caktimin ndaj personit nën hetim M.S. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
4. Caktimin ndaj personit nën hetim S.K. të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
5. Caktimin ndaj personit nën hetim A.Gj. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
6. Caktimin ndaj personit nën hetim P.M. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
7. Caktimin ndaj personit nën hetim G.B. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
8. Caktimin ndaj personit nën hetim N.A. të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumenvete” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
Vendimi për caktimin e masave të sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
Koncensioni i Sterilizimit
Në 16 Shkurt 2015, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin për dhënien me koncesion/partneritet publik privat (PPP) per ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si edhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.
Tenderi përllogaritej në vlerën e rreth 100 milionë eurove, të cilat do t’i paguhen fituesit të koncensionarit nga Buxheti i Shtetit për një periudhë 10-vjeçare. Gjithësesi, në bazë të disa ndërhyrjeve të mëvonshme, qeveria e shtoi vlerën e koncensionit në rreth 135 milionë euro.
Në tender morën pjesë 5 operatorë, 3 prej të cilëve nuk kishin paraqitur ofertë dhe për këtë arsye u skualifikuan automatikisht.
Në Prill 2015, Ministria e Shëndetësisë shpall fitues bashkimin e operatorit të regjistruar në Kosovë nga shqiptari emigrant Ilir Rrapaj “Investial” dhe tre kompanive italiane. Konkretisht; “Servizi Italia”, e regjistruar në Parma, si edhe peruxhianet “Tecnosanimed” dhe “U.jet”srl.
Kompania humbëse e ankimoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Në Shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranonte pjesërisht ankimin, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të rishikojë disa aspekte të tenderit.
Pas rishikimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë, në Dhjetor 2015, vendosi të shpallte fitues sërish të njëjtin bashkim operatorësh që kishte kualifikuar edhe në fillim.
Tashmë, kompania e shqiptarit Rrapaj dhe tre kompanitë italiane ishin bashkuar në një të vetme, duke krijuar koncensionarin “Saniservice”./Albeu.com/
/Albeu.com./