Zykaj: Serbia u “ndëshkua” nga BE-ja për mosrreshtimin e saj me sanksionet ndaj Rusisë

Në lidhje direkte për emisionin “Ballkan”, gazetarja Erisa Zykaj ka informuar, se një nga rrjedhojat e paketës së tetë të sanksioneve të Bashkimi Europian kundër Rusisë ka të bëje edhe me “ndëshkimin” e Serbisë për mosrreshtimin, apo mospërafrimin e saj me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

“Serbia praktikisht është penalizuar. Serbia është ndëshkuar nga Bashkimi Europian me ndërprerjen e furnizimit me naftë dhe produkteve të papërnuara të naftës ruse për shkak të mosaprovimit të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë lidhur me luftën/ agresionin e saj në Ukrainë” është shprehur Zykaj.

Kjo, pasi ajo që ka ndodhur në gjirin e Këshillit të ministrave të BE-së është kjo: “Disa shtete anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë dashur më të mbështesin një derogacion (përjashtim) për importin e naftës ruse drejt vendeve të treta si Serbia. Ato e kanë kundërshtaur këtë derogacion (përjashtim) me argumentimin se Serbia nuk ka aprovuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe nuk është rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian. Si rrjedhim, sipas paketës së tetë të sanksioneve të BE-së, Serbia nuk do të mund të furnizohet më me naftë bruto ruse nisur nga dhjetori 2022.

Në vendimin unanim të shteteve anëtare të Bashkimit Europian lidhur me paketën e tetë të sanksioneve, ndalohet ofrimi i transportit detar drejt vendeve të treta i naftës bruto  duke filluar nga dhjetori 2022 si dhe i produkteve të papërpunuara te naftës, duke filluar nga shkurti i 2023 me origjinë nga Rusia ose që eksportohen nga ky vend. Lidhur me transportin detar ndalohet gjithashtu ofrimi i asistencës teknike, shërbimeve të ndërmjetësimit, financimit ose asistencës financiare. Elementi i ri, është se me heqjen e përjashtimit të deritanishëm, në këtë paketë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të lejohen të importojnë naftë bruto apo të papërpunuar nga Rusia.

Nga ana tjetër, vendimi tregon, se Bashkimi Europian po punon për të vendosur unanimisht një kufi të çmimit të naftës që importohet nga Rusia. Në vendimin e Këshillit të ministrave artikulohet, se ndalimi i ri për anijet e BE-së për të ofruar transport detar për produkte të tilla drejt vendeve të treta do të zbatohet kur të arrihet unanimiteti për kufirin e çmimit tavan të naftës.

“Kufiri i çmimit do të ulë në mënyrë drastike të ardhurat që Rusia fiton nga nafta pasi lufta e saj e paligjshme kundër Ukrainës ka fryrë çmimet globale të energjisë. Kufiri i çmimit të naftës mund të shërbejë gjithashtu për të stabilizuar çmimet globale të energjisë”. thuhet në vendimin e Këshillit të ministrave.


Shtuar 7.10.2022 19:33