Zusi: Ushqimi në Shqipëri taksohet sa produktet e luksit në Europë

Kreu i Shoqatës së Përpunuesve Alban Zusi deklaroi se është pro uljes së TVSH-së për produktet e shportës nga 20 në 6%. I ftuar në “Log.” në ABC me gazetarin Endri Xhafo ai u shpreh se kjo nxit bizneset informalë të bëhen formalë.

Ai theksoi se asnjë vend në Europë nuk ka taksë kaq të lartë për produktet ushqimore. Zusi rreshtoi disa argumente për mbështetjen e kësaj kërkese, duke vendosur të parin atë moral.

“Së pari është argumenti moral. Nuk mund të taksojmë ushqimin me 20%. Nuk e bën asnjë vend i Europës. Në Europë taksimi i ushqimeve bazë taksohen deri në 6%. Produktet e përpunuara shkojnë deri në 10%. Dhe pastaj taksa për produktet e luksit është 20%. Argumenti i parë është ai moral. Nuk mundet shoqëria të bëjë luksin e saj me taksën e ushqimit.

Në Shqipëri në sektorin e produkteve ushqimore evazionin mund ta kemi deri në 80%. Një taksë e lartë vetëm e favorizon këtë evazion. Duke ulur në 6% ne zgjerojmë bazën dhe jo që mund të humbasë nga kjo ulje ka gjasa të rikuperohet. Me 6% janë të gjithë të motivuar. Sot në Shqipëri ti nuk ke asnjë lloj statistike. Nuk ke statistika në Shqipëri. Sot ka evazion dhe informalitet total. Ti nuk bën dot politika sot.

Mbi bazën e këtyre politikave ka gjasa të marrësh më shumë të ardhura dhe të kompensosh atë që po humbet sot. Në 2014 kompanitë që deklaronin një vlerë kaluan në disa fish deklarim brenda disa vitesh. Bankat filluan të japin kredi për fermerët sepse ata që nuk ekzistonin për ta filluan të figuronin me para në bankë. U formalizua gjithçka. Kompani me 70 vetë të deklaruar shkuan në 270. Duhet bërë kjo punë sepse është sektori më informal që kemi”, deklaroi Zusi.

Ndërsa eksperti për ekonominë Eduart Gjokutaj deklaroi se politika nuk mund të ndryshojë kaq shpesh si “fizarmonikë” duke theksuar se kjo nuk jep mesazhin e duhur.

“TVSH për bujqësinë ka ndryshuar katër herë nga 2014. Kjo është qasje që me politikat është luajtur nga çdo qeveri. Nuk ka ndikuar për mirë. Baza e paedukuar është kthyer prapë në nivelet ku ka qenë. TVSH është taksë konsumi. Atë e mbart konsumatori. Biznesi siç e merr do ta japë. Në shëndetësi dhe arsim u bë zero. Nuk bëhet politika kaq e shpejt si fizarmonikë. Nuk merren mesazhe”, deklaroi Gjokutaj./Abcnews.al


Shtuar 2.11.2021 22:22