Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në Durrës, të shkaktuar nga zjarri që përfshiu një magazinë private pranë rrjetit 110 kV në Shkozet.
Karakaçi bëri të ditur se linjat 110 kV, të cilat furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, u stakuan në orën 15:40 për shkak të flakëve. Si rrjedhojë, qyteti i Durrësit mbeti pa energji elektrike.
Të lidhura
None found
Situata, sipas ministrit, vazhdon të jetë e rënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse janë ende duke punuar për shuarjen e plotë të zjarrit. Me kërkesë të tyre dhe për të garantuar sigurinë, njëra nga linjat 110 kV vijon të qëndrojë e stakuar.
Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ndërhyri menjëherë duke përdorur linja alternative për të furnizuar një pjesë të zonave. Kjo masë mundësoi rikthimin e pjesshëm të energjisë elektrike në Durrës.
Megjithatë, Karakaçi sqaroi se furnizimi nëpërmjet unazimeve nuk mund të mbahet për një periudhë të gjatë, pasi ngarkesa në rrjet është e lartë.
Në terren ndodhen edhe brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Ato do të nisin riparimin e dëmtimeve në linjën 110 kV sapo flakët të jenë shuar tërësisht dhe të krijohen kushtet që ndërhyrja të kryhet në mënyrë të sigurt.
“Ekipet e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat e prekura”, deklaroi ministri Enea Karakaçi, ndërsa u kërkoi qytetarëve mirëkuptim deri në normalizimin e plotë të situatës.
