Gjashtë persona të lënduar nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare u paraqitën në Spitalin Rajonal të Vlorës gjatë orëve të para të mëngjesit. Për gjendjen e tyre ka dhënë informacion shefi i Reanimacionit, Edmond Breshanaj.
Sipas mjekut, rreth orës 04:30 stafi i spitalit u vu në gatishmëri të plotë pas mbërritjes së pacientëve, të moshave 25-30 vjeç, me origjinë nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.
Të lidhura
None found
Breshanaj bëri të ditur se të plagosurit ndodheshin në katin e dytë të godinës, ndërsa tre prej tyre kishin pësuar djegie të rënda. Dy persona të tjerë u hodhën nga kati i dytë dhe morën fraktura në kolonë.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi shefi i Reanimacionit.
Njëra prej pacienteve ndodhet në gjendje kritike, pasi ka pësuar djegie në pothuajse 100% të trupit. Një paciente tjetër ka djegie në 50% të trupit.
“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një tjetër 50%. Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve plastike në Tiranë”, tha Breshanaj.
Zjarri shpërtheu në një godinë ku në katin e parë ndodhej një lokal, ndërsa kati i dytë ishte përshtatur si hotel. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe tymi i dendur bllokoi daljet, duke bërë që disa pushues të hidhen nga dritaret e dhomave për t’u shpëtuar flakëve.
