Flakët vijojnë të përpijnë prej pesë ditësh malin e Tërbunit në zonën e Pukës, duke lënë pas shkatërrime masive në masivin pyjor me pisha. Sipas banorëve të zonës, më shumë se 60% e sipërfaqes tashmë është djegur plotësisht dhe gjendja mbetet alarmante.
Në terren, ekipet zjarrfikëse nga Puka dhe Va i Dejës po luftojnë me flakët, duke u përqendruar në izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Të lidhura
None found
Komuniteti lokal ka ngritur zërin prej datës 6 shtator për mbështetje nga ajri me helikopter, që do të ndihmonte në frenimin dhe fikjen e zjarrit. Thirrjet për ndërhyrje ajrore vijnë teksa situata mbetet jashtë kontrollit në disa pika.
Një tjetër pasojë shqetësuese është ndotja e rëndë e ajrit. Retë e dendura të tymit kanë mbuluar qytetin e Pukës dhe fshatrat përreth, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët.
Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri në malin e Tërbunit mund të jetë ndezur me dashje. Autoritetet po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të sqaruar shkaqet e rënies së zjarrit.
