Ziadin Sela tregon arsyen e takimit me Albin Kurtin

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, lideri i Aleancë për Shqiptarët, Ziadin Sela ka treguar arsyen e takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Siç bënë të ditur Sela, ai është shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i ASh-së, Arben Taravari dhe koordinatorja e grupit parlamentar, Ilire Dauti.

“Këto takime janë në funksion të rivendosjes së komunikimit politik më se të nevojshëm brenda hapësirës shqiptare, në një kohë kur rajoni përballet me zhvillime të rëndësishme. Andaj na duhet ky dialog i përhershëm për të bashkërenduar veprimet tona politike”, shkroi mes tjerash Sela, transmeton TV21.

Kanë folur edhe për pandeminë dhe për iniciativën rajonale “Ballkani i hapur”.

“Me Kryeministrin Kurti diskutuam luftimin e pandemisë Covid-19 si dhe masat e vendosura nga Republika e Kosovës, për të cilat u njoftuam se do të zbuten, për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Biseduam edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, për të cilën çështje qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët është më se i qartë. Theksuam se asnjë iniciativë e re në Ballkanin Perëndimor nuk e ka përkrahjen tonë dhe nuk ka kuptim pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe se çdo nismë që anashkalon Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran ka efekt shumë të dëmshëm për shqiptarët dhe rajonin. Në fund, u pajtuam për të bashkërenduar përpjekjet tona drejt integrimit euro-atlantik të dy vendeve tona, që mbetet synimi ynë kryesor në planin e jashtëm”, përfundon njoftimi i Selës.

Siç shihet edhe nga fotografitë, në takim mori pjesë edhe Avni Dehari nga Kumanova, i cili është deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës.


Shtuar 2.02.2022 22:04