“Zhvillimi i vërtetë po ndodh”, ambasadorja amerikane zbulon bisedën me kreun e SPAK (FOTO LAJM)

Sot, Ambasadorja Kim u takua me Kreun e SPAK Kraja dhe Drejtorin e BKH Hajnaj për të diskutuar rezultatet e suksesshme të SPAK dhe sfidat me të cilat ata përballen në vitin e tyre të parë. Ambasada e SHBA deklaron se Shtetet e Bashkuara mbështesin rolin e rëndësishëm që SPAK ka në zbatimin e suksesshëm të reformës në drejtësi.

“Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, Kreu Kraja dhe Drejtori Hajnaj i rikonfirmuan Ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK. Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin.

Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin!” mbyllet postimi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë.


Shtuar 28.05.2021 17:14