Gjatë mbledhjes së Komisionit të Kulturës, deputetja demokrate Ina Zhupa iu drejtua me një apel të veçantë deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.
“Kam një shpresë te kolegë të veçantë. Uroj shumë që të dalë një burrë nga Vlora që ta mbajë fjalën dhe i qëndron besës që ka dhënë me qytetarët e Selenicës. Që të mos arrini dot të bëni 84 vota”, deklaroi Zhupa.
Të lidhura
None found
Thirrja e saj erdhi pasi, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Braçe dhe Sinaj votuan kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, i cili parashikon reduktimin e bashkive nga 61 në 46.
Teksa argumentoi kundërshtimin e opozitës ndaj bashkimit të 15 bashkive, Zhupa u përfshi në debat me socialistët e pranishëm në komision. Këta të fundit i kujtuan se demokratët nuk morën pjesë një ditë më parë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku u miratua projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale.
“225 mijë qytetarë që janë prekur nuk e duan, çfarë thotë kushtetuta, pyeten komunitetet. Çfarë bëni ju, pyesni vetëm Arbër Maznikun”, u shpreh Zhupa.
Deputetja socialiste Briseida Çakërri akuzoi opozitën se kishte synuar pengimin e procesit: “Opozita ka pasur vetëm një qëllim të digjte afatet dhe të digjte këtë reformë”.
Ndërsa Ramion Kurti deklaroi: “Ju e abandonuat komisionin për reformën territoriale”.
Pas rreth një ore diskutimesh, mbledhja vijoi me dëgjesën e përfaqësuesve të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, lidhur me ligjin për të drejtat e autorit.
