‘Zgjohem në 4 të mëngjesit, më thonë mbaje ID me vete që të gjejmë! Befason 72-vjeçari (VIDEO)

Aleks Dushi është një 72 vjeçar, jeta e të cilit sapo ka filluar. Një ish mësues i lëndës së matematikës dhe historisë, ky zotëri prej 9 vitesh gëzon vitet e pensionit. Por ndryshe nga moshatarët e tij, kohën e kalon mbi biçikletë dhe duke eksploruar natyrën. Dushi ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi ku na tregoi dhe pasionin e tij të madh të zhvilluar në moshë të tretë.

“Unë kam punuar mësues. Zakonisht mësuesia duket si anemike, por kur e shoqëron me aktivitet fizik dalëngadalë fiton një raport tjetër me vetë arsimin. E kam ndjekur edhe me nxënësit. Organizoja vajza dhe djem të rinj dhe dilnim me biçikleta.” – shprehu Dushi.

Me një biçikletë që e zotëron prej 25 vitesh, Dushi shpreh se nuk ka lënë majë të maleve të veriut të Shqipërise pa eksploruar. Prej vitesh alpinizmi është kthyer në dashurinë e tij të madhe të cilën e ushtron edhe sot e kësaj dite. Por si është përditshmëria e këtij zotërie?

“Veprimtaria ime e ka bërë minutazhin e përditshëm. Çdo ditë zgjohem vetë pa alarm në orën 4 e 30 të mëngjesit. Bëhem gati, me biçikletë shkoj në breg të liqenit të Shkodrës, shëtis në një vend që quhet Zogaj. Kam një biçikletë që kam 25 vite me të, besoj se ajo i ka kaluar 40 mijë kilometra. Eci çdo ditë me një mesatare prej 30-40 kilometra në ditë. Hypi në mal me biçikletë.”- tha ish mësuesi./albeu.com


Shtuar 1.11.2021 18:43