Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit që do të mbahen në bashkitë Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë, do të nisë më 19 shkurt.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Indrit Sefa, ka kërkuar që fushata të nisë më herët, më 7 shkurt, por kërkesa e tij është rrëzuar nga komisioni Rregullator, i cili ka miratuar propozimin e kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi.
“Koha e lënë prej dy javësh, pra 13 duke konsideruar heshtjen zgjedhore, mendoj se është shumë e pakët për faktin e vetëm se ne kemi të gjithë mundësinë objektive për të realizuar një kohë më të gjatë të fushatës zgjedhore. Ne propozojmë datën 7 shkurt për të filluar fushatën. Një fushatë kaq e shkurtër zgjedhore s’do i vinte në ndihmë procesit. Data 7 shkurt do ishte më se e mjaftueshme për nisjen e fushatës zgjedhore dhe nuk shoh ndonjë pengesë në këtë pikë”, tha Indrit Sefa.