Rama i pret shpresat Valdrin Pjetrit për të kandiduar për Shkodrën: Shanset e dyta i jep vetëm Zoti

Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të mbahen më 6 mars në 6 bashki, Partia Socialiste ka nisur punën. Rama, pas mbledhjes së Kryesisë u shpreh se nuk do të ketë deputetë që do të propozohen për të kandiduar për kryetar bashkie.

“Nuk mendoj se do të kemi deputetë, si parim në këtë garë, pasi deputeti është zgjedhur për të bërë deputetin. Ky është mendimi i kryesisë. Përsa i përket grave, mes një gruaje dhe 10 burrave unë zgjedh gruan” tha ai.

Pak ditë më parë Valdrin Pjetri kërkoi një shans të dytë për të kandiduar në Shkodër, por Rama ia preu shpresat.

“Shanset e dyta i jepen në marrëdhënie individuale, shanset e dyta mund t’i japim njëri tjetrit kur jemi miq, kur miqësia lëndohet dhe shanset e dyta i jep Zoti, ndërsa PS nuk i jep shans të dytë askujt që e ka vendosur në pozitë të vështirë duke gënjyer” tha Rama./albeu.com

Shtuar 20.01.2022 14:57