Në Turqi janë hapur kutitë e votimit për zgjedhjet lokale, ku mbi 61 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në 81 provincat e vendit, raporton Anadolu Agency, agjencia zyrtare e lajmeve,
Votimi filloi në orën 7:00 të mëngjesit, me kohën lokale dhe do të vazhdojë deri në orën 16:00 në 32 provinca lindore të vendit.
Në provincat e mbetura, qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00.
Rreth 1,32 milion të rinj votojnë për herë të parë.
Në garë janë kandidatë nga 34 parti politike, ndërsa në mbarë vendin janë vendosur më shumë se 206.000 qendra votimi.
Krahas krerëve të 81 provincave, do të zgjidhen 973 kryetarë të rretheve dhe 390 kryetarë bashkie së bashku me 50.336 muhtarë, si dhe anëtarët e asambleve të përgjithshme provinciale dhe të këshillave bashkiakë.
Votuesit që jetojnë në qytetet më të mëdha të Turqisë po hedhin votat e tyre për kryetarë bashkie metropolitane, kryetar bashkie, anëtarësi në këshillat bashkiakë, si dhe për muhtarët dhe këshillat e pleqve.
Ato qytete janë Adana, Ankara, Antalya, Aydın, Balıkesir, Bursa, Denizli, Diyarbakır, Erzurum, Eskişehir, Gaziantep, Hatay, Istanbul, Izmir, Kahramanmaraş, Kayseri, Kocaeli, Konya, Malatya, Manisa, Mardin, Mersin, Muğla, Ordu, Sakarya, Samsun, Şanlıurfa, Tekirdağ, Trabzon dhe Van.
Në provincat e tjera, votuesit hedhin votat e tyre për anëtarët në këshillat provincialë, kryetarët e bashkive, anëtarët në këshillat bashkiakë, muhtarët dhe këshillat e pleqve.
Në fshatra do të votohen për anëtarët në këshillat provincialë, muhtarët dhe këshillat e pleqve.
Partitë kryesore garuese janë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP), Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Partia IYI dhe Partia Demokratike Popullore (DEM).
Parti të tjera politike janë Partia e Majtë, Partia e Unitetit të Madh, Partia e Atdheut, Partia e Mëmëdheut, Partia e Majtë Demokratike, Partia e Mirëqenies, Partia Komuniste e Türkiyes, Partia e Bashkimit të Anadollit, Partia e Fitores, Partia për Çlirimin e Popullit, Lëvizja Komuniste e Türkiyes, Partia e Pavarur e Türkiyes, Partia e së Ardhmes, Partia e Türkiyes së Re, Partia e Punës, Partia e Kauzës së Lirë, Partia e të Drejtave dhe Lirive, Partia Ocak, Partia e Bashkimit të Drejtësisë, Partia Demokratike, Partia e Bashkimit të Fuqisë, Partia e Rrugës Kombëtare, Partia e Drejtësisë, Partia e Demokracisë së Ndritshme, Partia e Punëtorëve të Türkiyes, Partia e Demokracisë dhe Përparimit, Partia e Lumturisë dhe Partia Atdheu.
Të shtunën, fushatat zgjedhore përfunduan dhe ndalimi i transmetimit hyri në fuqi në gjithë vendin përpara zgjedhjeve.
Sipas ndalimit të vendosur nga Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve (YSK), organizatat mediatike nuk do të lejohen të transmetojnë asnjë reklamë politike, parashikime apo komente rreth sondazheve deri në kohën e përfundimit të ndalesës.