Zgjedhjet lokale në 6 bashki, Basha: “30 qershori”, i turpshëm, vendimi i Kushtetueses është test

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për procesin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 si “test të rëndësishëm të integritetit të reformës në drejtësi”.

Procesin zgjedhor të 30 qershorit, z. Basha e ka konsideruar “një proces jo vetëm ilegjitim por të turpshëm”.

“Dhe po të heqim çdo faktor tjetër, fakti që më pak se 15% e shqiptarëve u detyruan të merrnin pjesë në atë proces dhe 85% e shqiptarëve e konsideruan atë ilegjitim, është verdikti i gjithë verdikteve”, tha kreu i PD.

Ai shtoi se 30 qershori “ka prodhuar një krizë e cila manifestohet në mungesën e shërbimeve ndaj qytetarëve, manifestohet në korrupsionin galopant; në veçanti në bashki të mëdha sikurse janë bashkia e Tiranës dhe ajo e Durrësit”.

“Manifestohet në kapjen e funksionit të çdo bashkie nga mafia; që nga inceneratorët, pastrimi i qytetit, tek mungesa e shërbimeve për qytetarët, në veçanti në zonat rurale të cilët janë lënë në mëshirë të fatit”, shtoi z. Basha.

Kryetari i PD theksoi se opozita ka një prej betejave të saj reformën territoriale që do të ketë si qëllim kthimin e pushtetit vendor te qytetarët.

“Njësoj si pushteti qendror është grabitur dhe është përdorur për interesa të ngushta të një pakice dhe ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë edhe në këto momente që po flasim interesat e qytetarëve”, tha  Basha./Euronews


Shtuar 19.11.2021 16:23