Zëvendëskryeministri i Kosovës niset për në Bruksel, do të takohet me Lajçakun

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel.

Ai do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në takime në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë”, ka thënë këshilltari i Bislimit për Klankosova.tv.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, sot në një konferencë për media ka deklaruar se Bislimi do të jetë në Bruksel sonte për të folur për targat dhe elemente tjera.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se edhe Kosova edhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një rrugë për të qetësuar tensionet e krijuara.

Veç kësaj ai gjatë adresimit të tij, kërkoi se të dyja palët duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ligjore.

Tutje ai ka bërë thirrje që të dyja palët t’i kthehen pa alternativë dialogut, dhe të gjendet një zgjidhje para datës 21 nëntor.