Zelensky: Viti i kaluar ishte më i vështiri për banorët e Kievit

Presidenti i Ukrainës postoi një mesazh në anglisht nën një video që tregon ndërtesa dhe automjete të dëmtuara në Bucha dhe Irpin.

“Më e tmerrshmja për jetën e shumë banorëve të rajonit të Kievit, ishte viti i kaluar”, tha ai.

Ushtria ukrainase rimori qytetet e vogla të Irpin dhe Bucha jashtë kryeqytetit Kiev në fund të marsit të vitit të kaluar.

Hetuesit ndërkombëtarë po mbledhin tani prova në Irpin, Bucha dhe zona të tjera ku, sipas Ukrainës, trupat ruse kryen mizori të përhapura. Rusia i mohon këto pretendime.

“Për shumë banorë në rajonin e Kievit, viti i kaluar ka qenë më i tmerrshmi i jetës së tyre. Dhe çlirimi i rajonit të Kievit u bë simbol i faktit se Ukraina do të arrijë ta fitojë këtë luftë”, shkroi në anglisht Presidenti Volodymyr Zelensky në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Ngjarjet që askush nuk mund t’i imagjinonte në shekullin 21 u bënë realitet në qytetet periferike të Kievit – Butsa dhe Irpin. Trupat ruse përparuan në kryeqytetin ukrainas nga veriu dhe sollën vdekje dhe shkatërrim”, shtoi ai.

Zelensky postoi mesazhin e tij nën një video që tregon ndërtesa dhe automjete të dëmtuara në Bucha dhe Irpin.

Videoja përfshin gjithashtu intervista me të mbijetuarit që flasin për përvojat e tyre gjatë okupimit, si dhe imazhe të trupave të rreshtuar në tokë me thasë të zinj.

Videoja, e prodhuar nga iniciativa ukrainase për mbledhjen e fondeve UNITED24, e vendos numrin e viktimave civile në zonat e Kievit të çliruara nga forcat ruse në 1,137, duke përfshirë 461 të vrarë në Bucha.

Përparimi i forcave ruse, të cilët pushtuan Ukrainën më 24 shkurt të vitit të kaluar, u ndalua jashtë kryeqytetit, me trupat që më pas u tërhoqën. Megjithatë, rajoni i Kievit është shpesh shënjestër e sulmeve me raketa dhe dron, ndërkohë që luftimet janë ndezur në vende të tjera të vendit. /albeu.com


Shtuar 30.03.2023 13:16