Zelensky: Po humbasim çdo ditë 100 ushtarë në fushë-betejë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë për Newsmax në Kiev, tha se ushtria ukrainase po humb në frontin e luftës 60 deri në 100 ushtarë në ditë, ndërsa më shumë se 500 ushtarë plagosen çdo ditë.

“Situata më e vështirë është në Ukrainën lindore dhe në jug të Donetskut dhe Luhanskut.

Situata është shumë e vështirë. Çdo ditë humbasim 60-100 ushtarë në beteja dhe kemi rreth 500 të plagosur”, tha Zelesnky.

Në të njëjtën kohë në intervistën e tij ai thekson se Kievi nuk ka ndërmend të ndërmarrë hapa të nxituar për të çliruar territoret e pushtuara nga rusët, nëse kjo do të kërkojë dhjetëra mijëra viktima.

Presidenti ukrainas thotë se do të presë ardhjen e armëve të nevojshme nga Perëndimi.

Zelensky gjithashtu theksoi se ushtria ukrainase nuk po përgatitet të sulmojë territorin rus me armë të dërguara nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht me raketa me rreze të gjatë.

“Unë e di që disa persona në Shtëpinë e Bardhë thonë se ne mund t’i përdorim këto armë për të sulmuar Rusinë. Ne nuk do të sulmojmë Rusinë. Ne nuk jemi të interesuar për Federatën Ruse, ne nuk po luftojmë në territorin e saj”, tha Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë dy njoftime për humbjet e ushtrisë ruse gjatë luftës, më 2 dhe 25 mars.

Sipas informacioneve të fundit nga Ministria ruse e Mbrojtjes në Ukrainë, 1351 ushtarakë rusë janë vrarë dhe 3825 janë plagosur.

Gazetarët e shërbimit rus të BBC-së kanë identifikuar emrat e 3052 ushtarëve dhe oficerëve rusë që janë vrarë në Ukrainë.

Hetimi i tyre u bazua në njoftimet e krerëve të rajoneve ruse dhe raportet e mediave lokale.

Në të njëjtën kohë, shërbimi rus i BBC-së sqaron se numri mund të mos jetë i saktë, sepse autoritetet lokale jo gjithmonë shpallin të gjitha listat e ushtarëve të vdekur, pasi në kohë lufte është e pamundur të verifikohen plotësisht shifrat e humbjeve.


Shtuar 1.06.2022 17:33