Rezultatet preliminare të zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar edhe mandatin e 53-të, duke mbajtur thuajse të njëjtin nivel mbështetjeje si në zgjedhjet e kaluara.
Sipas këtyre shifrave, në skenën politike të Kosovës shtrohet dilema nëse votuesit kanë zgjedhur ta ruajnë status quo-në dhe nëse opozita ka dështuar të paraqesë një alternativë bindëse që do të ndryshonte raportet politike në vend.
Të lidhura
None found
Për këtë zhvillim, në një prononcim për “Bota sot”, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, tha se vendi kaloi nëpër një bllokadë politike për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe pamundësisë së partive për të arritur marrëveshje.
Ai ia atribuoi këtë ngërç partive opozitare, duke theksuar se, sipas tij, ato e sabotuan me vetëdije Lëvizjen Vetëvendosje, megjithatë kjo e fundit arriti sërish të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Për 16 muaj me radhë, Kosova është përballur me një ndër krizat më të mëdha institucionale, të shkaktuara dhe të organizuara nga PLAN-i, që u karakterizua me obstruksione, sabotime dhe bllokada të qëllimshme, me të vetmin synim që ta pengojnë qeverisjen e kryeministrit Kurti. Obstruksionet për konstituimin e institucioneve më vitale të shtetit filluan që nga shkurti i vitit 2025, kur PLAN-i kategorikisht refuzoi bashkëpunimin me LVV-në për formimin e Qeverisë, duke e dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Bojkotimi i sinkronizuar i PLAN-it vazhdoi edhe pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, kur opozita sabotoi zgjedhjen e presidentit, edhe pse LVV-ja paraprakisht, brenda një dite, kishte konstituuar Kuvendin dhe kishte formuar Qeverinë. Si rrjedhojë e kësaj papërgjegjësie skajshmërisht antishtetërore të PLAN-it, Kosova prapë shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026.
Edhe përkundër një propagande arrogante, me plot shpifje, manipulime dhe kauza të rreme të opozitës gjatë fushatës zgjedhore kundër kryeministrit Kurti, koalicioni i LVV-së, me votat e mërgatës, prapë i fitoi këto zgjedhje me mbi 47%, duke siguruar 53 deputetë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar ngjashmërisë së madhe mes këtij rezultati dhe atij të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Musliu i përshkroi zgjedhjet e fundit si të pajustifikuara dhe të dëmshme.
Në të njëjtën linjë, ai vlerësoi se PDK-ja dhe LDK-ja nuk i realizuan objektivat e tyre dhe se qytetarët i ndëshkuan sërish në votimet e fundit për shkak të mënyrës se si iu qasën pushtetit.
“Duke pasur parasysh rezultatin preliminar zgjedhor, ende të pacertifikuar zyrtarisht nga KQZ-ja, me të drejtë shtrohet pyetja: a thua këto zgjedhje e ndryshuan mozaikun e skenës politike, krahasuar me dy palë zgjedhjet paraprake? Me siguri që jo, pasi rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe ai i qershorit 2026 kanë një diferencë aq të vogël, sa këto zgjedhje i bëjnë të dëmshme, të pajustifikuara dhe inkriminuese.
PLAN-i dy palë zgjedhjet e fundit i provokoi qëllimisht për ta dobësuar kryeministrin Kurti, me shpresën se do t’i siguronte votat e nevojshme që, bashkë me Listën Serbe, ta konstituonte Kuvendin dhe ta formonte Qeverinë pa LVV-në. Mirëpo, siç thotë populli, “hesapi i shtëpisë nuk u doli në pazar”.
Përkundrazi, PDK-ja dhe LDK-ja jo vetëm që nuk i arritën objektivat dhe pritshmëritë, por humbjet e njëpasnjëshme kanë shkaktuar pakënaqësi dhe përçarje në këto parti, të cilat gjithnjë e më tepër, në ditët dhe javët në vijim, do të dalin në sipërfaqe.”
Musliu foli edhe për tensionet e brendshme në këto subjekte politike, të cilat, sipas tij, lidhen me dështimin për të arritur synimet e vendosura para zgjedhjeve.
“Kështu, përçarjet në LDK janë më se evidente dhe gjithnjë e më tepër nga disa zyrtarë po kërkohet llogaridhënie dhe zgjedhje partiake për disfatat elektorale. Edhe pse Lumir Abdixhiku me pompozitet e kishte paralajmëruar kthimin e Vjosa Osmanit në LDK, duke shpresuar se kjo parti do të fuqizohej, tani Vjosa Osmani është bërë ‘mollë sherri’ dhe shkak për një krizë të përshpejtuar e të thellë në LDK.
Për shpëtimin e kësaj situate dhe daljen nga kjo krizë, Lutfi Haziri i ka paraprirë një fushate duke kërkuar një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Mirëpo, personalisht nuk besoj se Albin Kurti do t’ia mundësojë këtë kënaqësi atyre që më së shumti e kritikuan dhe e denigruan gjatë fushatës zgjedhore.
Kurse PDK-ja, që nga paraburgimi i krerëve të saj, ka mbetur si parti pa lidership. Pa shkëputjen e kësaj partie nga komandantët e rremë, hajnat, kriminelët dhe ata që UÇK-në e shfrytëzuan si plaçkë lufte, ajo gjithnjë e më tepër do të dobësohet. PDK-ja të vetmen shpresë e ka te lirimi i të akuzuarve të Hagës?”
“Që nga ardhja e Albin Kurtit në Qeveri, opozita pothuajse është inekzistente”
Më tej, juristi u ndal te fitorja e radhës e LVV-së dhe Albin Kurtit, duke thënë se me mandatet që ka në dispozicion, kjo forcë politike do ta formojë qeverinë së bashku me pakicat joserbe.
Sipas tij, çështja e presidentit mbetet ende e pazgjidhur dhe do të kërkojë marrëveshje politike me partitë opozitare.
“Edhe pse koalicioni i LVV-së ishte kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ai prapë shënoi një fitore që me komoditet do ta konstituojë legjislaturën e re të Kuvendit dhe do ta formojë Qeverinë bashkë me pakicat joserbe.
Sikurse edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, edhe tani zgjedhja e presidentit mbetet një çështje e hapur, ku do të thyhen shtizat dhe që kërkon konsensus mes pozitës dhe opozitës. Sipas deklaratave aktuale të lidershipit politik, të gjithë janë dakord që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje politike.
Edhe ambasadat e huaja në Prishtinë, bashkë me BE-në, kanë kërkuar që sa më shpejt të formohen dhe funksionalizohen institucionet sa më stabile shtetërore të Kosovës”, shtjelloi juristi.
Ai i konsideroi humbjet e njëpasnjëshme të opozitës si dëshmi se këto parti nuk kanë sjellë një alternativë të qartë për qytetarët.
Në vlerësimin e Musliut, që prej ardhjes së Kurtit në pushtet, opozita është shfaqur pa orientim, pa vizion dhe pothuajse inekzistente, gjë që sipas tij dëshmon nevojën për reforma të thella të brendshme.
“Humbja e PLAN-it në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare radhazi tregon qartë se kjo opozitë nuk i ka ofruar kurrfarë alternative elektoratit për t’i konkurruar LVV-së, përveç manipulimeve, shpifjeve dhe mashtrimeve.
Në disa zgjedhje të fundit, sovrani bashkë me mërgatën gjithnjë e më tepër po i ndëshkon kastat politike, të cilat në emër të UÇK-së dhe Ibrahim Rugovës janë zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, kanë shkatërruar ekonominë, kanë plaçkitur shtetin, kanë dëmtuar rëndë sovranitetin dhe, për të mos i numëruar të bëmat kriminale gjatë qeverisjeve mbi dy dekada.
Dhe tani, kur ka ardhur koha e llogaridhënies dhe përgjegjësisë, ata bëjnë çmos ta pengojnë kryeministrin Kurti që t’i zbatojë reformat në drejtësi, që është ankthi i tyre.
Që nga ardhja e Albin Kurtit në Qeveri, opozita pothuajse është inekzistente, e çorientuar dhe pa vizion. Në Kuvend riciklohen deputetë të korruptuar, të shantazhuar nga shërbime të huaja, të dënuar për vrasje, kriminelë, hajna dhe antikombëtarë.
Prandaj, pa reforma radikale e strukturore dhe pa largimin e të inkriminuarve, kjo opozitë rrezikon të mbetet në opozitë për dekada. Opozita ka nevojë për rifreskim, për prurjen e një gjenerate të re, të pashantazhueshme dhe të pakorruptuar, për një nismë të re që sjell politikanë të rinj, me një kulturë dhe mentalitet tjetër politik, duke lënë anash hipotekat e së kaluarës që u keqpërdorën dhe e degraduan shtetin.”
Në përfundim, juristi nga Belgjika theksoi se këto zgjedhje jo vetëm që nuk kanë qenë të domosdoshme, por sipas tij kanë prodhuar pasoja të rënda.
“Duke pasur parasysh faktin se opozita qëllimisht bëri që viti 2025 të dështojë, tani Kosova nuk ka më kohë për të humbur, sepse në mungesë të institucioneve dhe reformave, vetëm nga Plani i Rritjes i BE-së Kosova rrezikon të humbasë deri në 250 milionë euro, kurse në pritje janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje më se të nevojshme që janë në interes të qytetarëve, e që opozita e papërgjegjshme i ka bllokuar.
E gjithë kjo që përmenda na mëson se zgjedhjet jo vetëm që nuk kanë qenë të nevojshme, por ato kanë sjellë dëme që nuk mund të kompensohen, si në aspektin financiar, ekonomik e politik, ashtu edhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
