“Zbythet” Rama, pranon vaksinat e Putinit: Mbërrijnë në Rinas 10 000 doza Sputnik-V

Kanë mbërritur sot 10 mijë vaksina ruse në vendin tonë. Kjo është hera e parë që në Shqipëri mbërrijnë vaksina Sputnik-V të cilat ministria bën me dije se janë dhuratë nga Emiratet e Bashkuara.

‘Mbërrijnë 10.000 vaksina Sputnik, dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, miku i çmuar Muhammed Bin Zayed.

Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër!’- njofton ministria.

Më herët kryeministri Rama e ka quajtur ofertën e ambasadës ruse si një provokim qesharak, duke shtuar se fillimisht kishte menduar se ishte një “meme”.

” Kam menduar që ka qenë një meme, ajo që pashë që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter i Endri Fugës, retweet të Ursula Von Del Leyen, sepse për një shtet serioz është e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla dhe kur them provokim nuk po i paraprijë ndonjë demarshi pranë shtetit rus sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk çshtë mirë që një vend si Rusia të bëhet qesharake, me një ambasadë që është e rëndësishme të sillet sikur është seksion i portokallisë, shpreh keqardhje se nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve. Ne jemi të fokusuar tek vaksinat e Pfizer, AstraZeneca dhe Modernës. Shtetet me të cilët ne komunikojmë në BE janë të drejtuara drejt këtyre kompanive. Nuk shprehim rezerva qoftë vaksinën kineze dhe ruse, por për momentin duke parë të tjerë ne jemi fokusohemi në këto drejtime. Nëse do të lindë nevoja ne do të shohim dhe alternativa të tjera”, tha Rama.

Mesa duket, kryeministri ka “harruar” se çfarë ka thënë dhe ka pranuar dhuratën. Ndërkohë nuk dihet ende se kush do të injektohet me këtë vaksinë./albeu.com

 


Shtuar 22.03.2021 13:14