Në kuadër të operacionit Inside, policia ka zbuluar në Peqin një magazinë të përshtatur për kultivim të kannabisit, me anë të llambave. Sipas një njoftimi zyrtar, lidhur me ngjarjen është arrestuar pronari i magazinës, si dhe drejtori i OSHEE, Peqin, si dhe procedohen penalisht 2 punonjës të këtij institucioni, për shpërdorim të detyrave dhe moskallëzim të krimit.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbinin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike kannabis.
Në kuadër të operacionit Inside, u arrestua shtetasi Graciano Kosta, 37-vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.
Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit Elvis Maçi, 33-vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60-vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33-vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.