Një specie e panjohur më parë e pandave gjigante që ekzistonte në Europë 6 milionë vjet më parë është identifikuar pas zbulimit të dy dhëmbëve të ruajtur në një muze bullgar. Dhëmbët e fosilizuar u gjetën fillimisht në fund të viteve 1970 në depozitat e qymyrit dhe u mbajtën në koleksionin e Muzeut Kombëtar Bullgar të Historisë Natyrore për më shumë se katër dekada.
“Ata kishin vetëm një etiketë të shkruar në mënyrë të paqartë me dorë. Më deshën shumë vite për të kuptuar se cili ishte lokaliteti dhe cila ishte mosha e species. Pastaj m’u desh gjithashtu shumë kohë për të kuptuar se kjo ishte një panda gjigante fosile e panjohur,”-tha Nikolai Spassov, një profesor në muze dhe autor i një studimi të ri mbi dhëmbët, në një njoftim për shtyp.
Ndërsa pandat njihen më së miri nga përfaqësuesi i tyre i vetëm i gjallë, panda gjigante, dikur ekzistonte një sërë speciesh të lidhura që jetonin nëpër Evropë dhe Azi. Specia e zbuluar përmes objekteve që u gjeten në muze ishte panda e fundit e njohur që jetonte në Evropë. Studiuesit e quajtën atë Agriarctos nikolovi sipas paleontologut shumëvjeçar të muzeut, Ivan Nikolov, i cili fillimisht katalogoi dhëmbët e gjetura.
Studimi zbuloi se kjo specie ishte po aq e madhe sa panda që njohim, ose pak më e vogël. Ka të ngjarë të hante kryesisht bimë, ndryshe nga pandat që janë gjallë, të cilat hanë vetëm bambu.
Dhëmbët ka të ngjarë të mos ishin aq të fortë sa për të shtypur kërcellet drunore të bambusë, duke sugjeruar se kafsha hante bimë më të buta, zbuloi hulumtimi./CNN