Zbulohet data, kur do të rikthehen bastet, “peshkaqenët” dhe rregullat e reja

Vendimi kontrovers i qeverisë për rikthimin e basteve sportive online nga 1 janari 2023 ende nuk është bërë realitet, ndonëse në buxhetin e shtetit planifikohen si të ardhura nga ‘kumari’ plot 2 miliardë lekë.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se drafti është ende në proces hartimi, teksa dha afat të ri marsin e këtij viti. Faktoje ka siguruar një kopje të draftit, sipas të cilit, taksa për aktivitetin e ‘kumarit’ do të rritet 40% krahasuar me periudhën kur aktiviteti lejohej në Shqipëri.

Esmeralda Topi

“Pritet të dorëzohet brenda muajit dhjetor në Parlament.” –  deklaroi në fillim të dhjetorit ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, duke iu referuar draftit të ndryshmeve në ligjin për lojërat e fatit.

Nisur nga kjo deklaratë, një ditë pasi parlamenti mbylli punimet për vitin 2022, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion ministrisë së Financave, për të mësuar se ku ‘ngeci’ drafti me ndryshime që duhet të ishte dorëzuar në parlament.

Në përgjigjen zyrtare, financat pranuan se ekspertët nuk kishin arritur të finalizonin ndryshimet në ligjin e lojërave të fatit, por pa dhënë sqarime për shkeljen e afatit të premtuar nga ministrja Ibrahimaj.

Është në proces përfundimi hartimi i aktit.” – shkruhet në përgjigjen e ministrisë së Financave për Faktoje më 23 dhjetor.

Disa sqarime u detyrua t’i ndante me publikun vetë ministrja Delina Ibrahimaj, në konferencën përmbyllëse të vitit 2022, kur tha se është punuar intensivisht, por dorëzimi i draftit në Kuvend do të duhej të priste fillimin e këtij viti.

“Jemi në proces të finalizimit dhe me fillimin e vitit të ardhshëm do të fillojmë procedurat e miratimit të këtij ligji të cilat do të marrin kohën e tyre. Po në një vlerësim timin, brenda tremujorit të parë të vitit 2023 ky ligj pritet të miratohet në parlament.” – nënvizoi Ibrahimaj, duke dhënë kështu një afat të ri për lojërat e fatit.

Bastet janë ende të paligjshme, por në buxhet llogariten 2 miliardë lekë nga ‘kumari’

Bastet online do të hapen brenda tremujorit të parë të këtij viti, edhe pse drafti ende nuk është hedhur për konsultim publik. Pavarësisht kësaj, financat kanë llogaritur paratë që do të vjelin në buxhet nga rikthimi i basteve sportive online.

Në relacionin e buxhetit 2023 specifikohet se nga miratimi në ligj i lojërave të fatit vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë, por pa dhënë detaje mbi llojin dhe masën e taksimit të këtij aktiviteti.

Faktoje ka arritur të sigurojë një kopje të draftit që është ende në tryezat e ekspertëve të ministrisë së Financave. Dokumenti parashikon rritje me 40% të taksës për bastet, duke u rikthyer tek e njëjta masë taksimi që ka qenë përpara vitit 2018. Sipas draftit, taksimi i basteve sportive online do të jetë 25% e të ardhurave bruto nga loja, pra diferencën mes shumës që kompania arkëton nga lojtarët dhe fitimin që u kthen mbrapsht atyre. Përpara mbylljes së basteve, taksimi për këtë aktivitet ishte 15% e të ardhurave bruto nga loja.

“Organizatorët e kategorisë “Baste sportive online”nuk tatohen sipas pikës 2 të këtij neni, por në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim masën e të ardhurave nga ky tatim e cila kalon për llogari të Ministrisë përgjegjëse për sportin, si dhe mënyrën e shpenzimit të saj.” – shkruhet në draftin e ndryshimeve të ligjit për lojrat e fatit.

Ish kreu i Shoqatës së Basteve në Shqipëri Artan Shyti sheh disa paqartësi te kjo mënyrë taksimi dhe sugjeron saktësimin e tyre përpara se drafti të dalë për konsultim publik.

“Duhet saktësuar se cila quhet e ardhur bruto, në bazë vjetore apo çdo muaj dhe se si do të llogaritet ajo. Sepse gjashtë muaj mund të fitosh dhe gjashtë të tjerë mund të humbasësh dhe në fund të vitit tatimor del me humbje. Po ashtu është e paqartë se sa para do të shkojnë për sportin, pasi shkruan se vendos qeveria.  U tha se rihapja e basteve do të bëhej për sportin, atëherë pse të mos shkojnë të gjitha të ardhurat atje.” – thekson ai, duke shtuar se drafti në tërësi e bën më të vështirë licensimin e kumarit.

“Me këto që shoh, vihet re qartë tendenca për ta shtrënguar dhënien e licensave për këtë lloj aktiviteti. Shoh dy probleme në draft. E para është shuma prej 12 milionë dollarësh si fond garancie dhe e dyta lidhet me faktin që kompania duhet të ketë përvojë 3 vjeçare nga një vend i OECD-së. me Me këto kufizime druaj se njerëzit do vazhdojnë të luajnë si tani, në të zezë.” – pohon Shyti për Faktoje.

Në 25 tetor të 2018 Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj, që mbyllte thuajse të gjithë industrinë e bixhozit në vend. Por katër vite më vonë, qeveria u angazhua në dëgjesa publike për rikthimin e tyre online, duke zhbërë një nga ligjet më të bujshme dhe populiste të qeverisjes socialiste, që asokohe u cilësua si dhuratë fundviti për çdo familje shqiptare.

Nisur nga verifikimet e bëra dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e ministres Ibrahimaj do ta kategorizojmë si të pavërtetë. /Faktoje.al


Shtuar 16.01.2023 17:23