Zbulohen hapat që duhet të ndjekin emigrantët për të votuar

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se në datën 11 janar do të filloi dhe procesi i aplikimit për regjistrimin e votuesve nga jashtë.

Për Top Channel Celibashi ka treguar edhe hapat që një emigrant duhet të ndjekë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Sipas asaj që kreu i KQZ tha shqiptarët të cilët jetojnë jashtë vendit fillimisht duhet të hapin një llogari, më pas të ngarkojnë dokumentin e identifikimit dhe një dokument që do i shkojë fleta e votimit.

“Pavarësisht faktin se akti i fundit për votim nga jashtë nuk u miratua nga Komisioni Rregullator, mendoj që është hapur rruga votimit nga jashtë dhe me datë 11 janar fillon procesi i regjistrimit të këtyre votuesve, proces i cili përfundon në datën 4 mars. Fillimisht duhet të hapë një llogari, si në platformat e tjera të internetit, nëpërmjet depozitimit në të të dhënave të tij si: nr.personal, nr i telefonit dhe pamje të fytyrës së tij. Pasi ka krijuar llogarinë e tij, ky votues do duhet të ngarkojë dokumentin e identifikimit në platforme dhe një dokument që do i shkojë fleta e votimit”, tha Celibashi ndër të tjera.


Shtuar 5.01.2025 21:36