Ngjarja e regjistruar mbrëmjen e djeshme në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë, është dokumentuar tashmë nga policia. Sipas hetimeve, përplasja mes disa personave ndodhi me sende të forta dhe me një mjet prerës, për motive të dobëta. Si pasojë, 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 tjetër është proceduar penalisht dhe 1 person është shpallur në kërkim.
Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, sapo mori njoftimin se në hyrje të parkimit të një pallati në rrugën “Frosina Plaku” disa shtetas ishin konfliktuar dhe njëri prej tyre kishte përdorur mjet prerës, nisi menjëherë veprimet për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar autorët.
Të lidhura
None found
Falë punës së shpejtë hetimore, ngjarja u sqarua dhe, pas përfundimit të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 46 vjeç, A. L., 44 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Po ashtu, në gjendje të lirë u procedua shtetasi A. I., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital dhe po merr kujdes mjekësor.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur shtetasi E. L., 17 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si edhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Puna për kapjen e tij vijon.
Materialet e përgatitura iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
