Zbardhet plagosja në Sarandë: Autori ishte me Beqirajn në një dhomë hoteli, e pëson keq dhe italiani (VIDEO)

Është zbardhur plagosja e mbrëmshme në Sarandë ku shtetasi Taulant Beqiri u qëllua me armë zjarri në Ksamil.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se sherri ndodhi në një dhomë hoteli dhe Beqiri u plagos nga shoku i tij, Edison Vyzaj.

Të dy ata bashkë me një person tjetër me banim në Itali ndodheshin në dhomën e një hoteli mbrëmjen e djeshme ku në rrethana të paqarta ka mbetur i plagosur me armë Beqiri.

Ky i fundit ka refuzuar të tregojë detaje për policinë mbi shkaqet e plagosjes, po ashtu edhe autori i ngjarjes, ndërsa 24-vjeçari Makaëitage Perera ka fshehur armën fill pas plagosjes.

Ndërsa personi i tretë që ra në pranga është një 24 vjeçar, banues në Itali i cili ka fshehur armën pas ngjarjes.

“Nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë, me një karikator me 3 fishekë dhe nje sasi lënde narkotike cannabis sattiva, e cila është gjetur gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku qëndronin këta shtetas”, tha policia.

Njoftimi i policisë: 

Ksamil, Sarandë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur shtetasi Tauland Beqiri, 28 vjeç, banues në Këlcyrë.

Vihen në pranga 3 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Edison Vyzaj, 28 vjeç, banues në Shkodër, per veprat penale ”Plagosja e rëndë me dashje”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-Tauland Beqiri, 27 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Moskallëzimi i krimit”;

-Makaëitage Perera, 24 vjeç, banues në Itali, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja r narkotikëve” dhe ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makaëitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.

Nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë, me një karikator me 3 fishekë dhe nje sasi lënde narkotike cannabis sattiva, e cila është gjetur gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku qëndronin këta shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /albeu.com/