Zbardhet kërkesa e SPAK për arrestin shtëpiak të Berishës: Ndalohet komunikimi me persona të tjerë veç atyre në banesë

Albeu ka siguruar kërkesën e SPAK për ‘arrestin e shtëpisë’ për Sali Berishën. Ish-kryeministri nuk lejohet të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që banojnë me të. Kjo do të thotë se Berishës i ndalohet edhe komunikimi me ndjekësit e tij në facebook apo platformat e tjera sociale.

“… me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”– thuhet në kërkesën e zbardhur të SPAK.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës, do të merret nesër, pasi seanca e sotme u shty me kërkesë të avokatëve që kërkuan kohë të njihen me provat. SPAK kërkoi që masa e arrestit në shtëpi të përforcohet edhe me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.