Gazetari i “ABC”-së Ermal Vija siguron dosjen me akuzat dhe dëshmitë e personave të arrestuar për protestën e dhunshme në datë 8 Janar në selinë e PD-së. 34 ishin personat që u arrestuan, por si nisi protesta, çfarë u gjet brenda selisë dhe çfarë deklaruan personat që u çuan pas hekurave?
Informacionet operative
Në datë 6 Janar në komisariatin dixhital ka mbërritur një mesazh ku sinjalizonte për persona të armatosur brenda PD-së dhe ku kërkohej ndërhyrje për t’i bllokuar, pasi protesta ishte në prag. Fotoja qarkulloi më pas edhe në rrjetet sociale, ku PD-ja zyrtare e mohoi, por grupi i Berishës akuzoi se ishin të rekrutuar nga Lulzim Basha.
“Ka persona të armatosur në PD. Tetë persona të veshur me maska dhe me armë” thuhej në mesazhin e dërguar në komisariatin dixhital nga një person anonim. Komisariati nr. 1 në Tiranë nisi hetimin pas sinjalizimit.
Agjentët mësohet se kanë monitoruar situatën nga bulevardi përballë selisë blu dhe kanë identifikuar sanitaren e godinës së PD-së me inicialet D.Xh. dhe një tjetër person R.K. Sipas raportit të agjentëve personat që ishin në foto të maskuar nuk ishin të armatosur.
Gazetari i “ABC” Ermal Vija raporton se sipas informacioneve që kishte policia nga të dhënat operative, dy palët do të konfrontoheshin. Drejtoritë vendore të policisë kishin informacione për grupime që do të merrnin pjesë në Tiranë që mund të shkonin deri në dhunë.
Gjithashtu, sipas raportit të referuar në prokurori është konstatuar edhe një tjetër foto e një grupi me 10 persona që qëndronin në një godinë, mes tyre ish-drejtori i policisë bashkiake në kohën e Lulzim Bashës, Florenc Hoxha.
“Ata shfaqen në një video në një dhomë me meze dhe duke luajtur në një instrument muzikor” thuhet në dosje. “Grupi i këtyre individëve dhe ata të Berishës sipas prokurorisë po përgatiteshin për protestën” raporton gazetari i “ABC”-së.
Si nisi sulmi?
Në materialet e referuara në prokurori theksohet se sulmi ka nisur rreth orës 11:15 në godinën e PD-së.
Por kush e njoftoi policinë nga brenda PD-së?
Në dosje thuhet se thirrja e parë në polici është bërë në orën 12:50 nga një individ brenda PD-së që kërkonte ndihmë dhe një thirrje tjetër në orën 13:00 nga ana e deputetëve të PD-së. Pas thirrjes policia ka ndërhyrë duke larguar protestuesit nga selia.
“Brenda selisë në katin e parë janë gjetur shkallë, tulla, çadra, shkopinj, tela dhe pajisje për hapjen e dyerve të blinduara” thuhet në dosje. Prokuroria ka marrë dëshmitë e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Lindita Metaliaj, Alban Hoxha dhe të arrestuarit.