Është zbardhur dëshmia e të penduarit Klevis Alla, mbi bazë të së cilës SPAK finalizoi hetimet dhe ngriti akuza për të shumëkërkuarin Talo Çela si dhe Nuredin Dumani si dhe Altin Ndoci.
Këtë të fundit janë marrë të pandehur për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në prill të 2020 si dhe të Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë në mars të të njëjtit vit.
“Besmir Haxhinë e nxora unë në pritë. I telefonova dhe i thashë hajde të të jap lekët e borxhit. E lamë të shiheshim te tregu i makinave. Kur pashë makinën e tij e parakalova. Atë moment Talo Çela dhe Nuredin Dumani, qëlluan me breshëri. Sulmi zgjati 3 minuta. Ne nuk e dinim që në makinë me të ishte edhe vëllai tjetër Viktori. Për vrasjen e Dorian Shkozës, dua të them se Talon e informoja unë për lëvizjet e tij. Vrasjen e Dorianit mendoj e ka bërë Besmir Haxhia dhe Talo, nisur nga karakteristikat trupore. Shofer s’e di kush ka qenë”, thotë Alla, raporton “News 24”.
Mbi personat e lartpërmendur rëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, dhe armëmbajtje pa leje. I penduari rrëfen në dëshminë e tij se ishte Nuredin Dumani, ai që i dërgoi foton e Besmir Haxhisë dhe i tha se do ta vriste. Ai thotë se automjetin që përdorën në vrasje e bleu dhe Nuredini në zonën e Astirit, ndërsa i kishin premtuar 10 mijë euro që të kishte rolin e shoferit në vrasje, por kur ai refuzoi e morën nën kërcënim. Para hetuesve ai tregon edhe takimin me ekzekutorët te tuneli në Shënavlash, pak minuta para se të qëllonin për vdekje dy vëllezërit.
“Kur mbërrita te tuneli në Shënavlash, aty ishte Talo Çela, Altin Ndoci e Nuredini. Talo kishte maskë me fytyrë njeriu. Nuredini kapuc si RENEA, xhup pa krahë me mbishkrimin OFL. Ata zbritën nga makina e tyre dhe morën 3 armë në bagazh. Unë shkova deri aty t’ju dërgoja makinën. Por Talo me kërcënoi: Ma ke thënë, ti do vish me se sbën dhe me ka kërcënuar. Hipa në Toyotan me targa AA 375 XN. Të tre u futën në automjet. Unë telefonova Besmir Haxhinë dhe lashë takimin”.
Po ashtu ai tregon se pas krimit autori u përpoq të fshihte provat. “Armët i hodha në kanalin përballë xhamisë me dy minaret. Makinën e lashë te varrezat në Arapaj. Të nesërmen kam shkuar me biçikletë te makina dhe kam mbledhur gëzhojat dhe i futa në një qese, të cilën e hodha në një rezervuar”, thotë ai.
Një tjetër episod që tregohet nga i penduari është momenti kur oficeri i zonës i kërkoi të paraqitej në polici dhe arsyet përse vendosi të fliste.
“Më telefonoi polici, Arbeni më kërkoi të shkoja në polici. U tremba, por vendosa të shkoj. Tregova ngjarjen. Dërgova policinë te vendi ku hodha armët. Polumbarët i gjetën. I tregova dhe vendin ku hodha qesen me gëzhojat dhe vendin ku lashë makinën e çelësin e saj”, tregon ai.
Klevis Alla tregon edhe motivin e vrasjes së dy vëllezërve si dhe miqve të tyre…. “Pas ngjarjes në Rinas, filloi përçarja e grupit të Talo Çelës, Dorian Shkozës, Altin Ndocit e Besmir Haxhisë. Përçarja filloi pasi hyri në lojë lek i madh nga vjedhja e Rinasit”.
Fillimisht Alla është përpjekur të mos e implikojë Nuredin Dumanin në krimet e rënda duke rënduar pozitën e Altin Ndocit, për të cilin fillimisht tha se kishte qëlluar ai dhe Talo Çela mbi dy vëllezërit, por më pas shpjegoi se ai kishte qenë në makinë, porse nuk kishte përdorur armë.