Zbardhet amendamenti/ PS – PD gjuhë të përbashkët për hapjen e plotë të dosjeve?

Sot Kuvendi do të miratojë ndryshimet për ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku dy grupet parlamentar të PS dhe PD kanë bërë propozimet e tyre. Të hënën në Komisionin e Ligjeve duket se konsensusi midis palëve u prish, për shkak se deputetët socialist pranuan pjesërisht propozimet e Grupit Parlamentar të PD. Pasi u ra dakord me propozimin e PD për deklasifikimin e plotë të dosjeve të ish sigurimit të shtetit, demokratët këmbëngulën tek hapja e plotë e dosjeve dhe aksesi i qytetarëve tek to, por kjo u refuzua nga socialistët.

Pas diskutimeve duket që socialistët janë tërhequr nga qëndrimi fillestar dhe kanë pranuar hapjen e plotë të dosjeve. Palët kanë dakordësuar amendamentin që pritet të votohet në seancën plenare të sotme, duke përfshirë të plotë propozimet respektive të palëve.

Amendamenti i dakordësuar për hapjen e plotë të dosjeve është si më poshtë: “Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.”.

 


Shtuar 20.10.2022 14:49