Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Klaudio Prendit/ Makina e atentatorëve ishte vjedhur në Tiranë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit, Fran Prendi. Audi A4 me targa greke që u përdor në vrasjen e Prendit dhe iu vu flaka, është vjedhur rreth një vit me parë në Tiranë, sipas burimeve të Abc News.

Djali i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Fran Prendi, u ekzekutua në orët e para të 19 nëntorit 2024 teksa po hynte në mjet, pasi kishte dalë nga një lokal ku ndodhej me miqtë në zonën e njohur si ‘Xhamlliku’ në Tiranë.

Makina e autorëve ka ardhur nga rruga e Freskut. Sapo i riu ka dalë nga lokali dhe është futur në makinën e tij, autorët e kanë qëlluar ku plumbat e kanë kapur në kokë dhe kraharor. Menjëherë autorët janë larguar me shpejtësi.

Shokët e Prendit kanë dalë me vrap nga lokali për t’i ardhur në ndihmë të riut. Ata e hipën në makinë 28 vjeçari dhe u nisën drejt Spitalit të Traumës, por i riu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Pistat ku po heton policia janë disa, së fundmi grupi hetimor thotë se nga deklaratat dhe zbërthime të disa telefonave rezulton se Klaudio Prendi ka pasur rreth 15 mijë euro borxh, shumë e cila mund të jetë rritur pasi dyshohet se është marrë me përqindje.

Në lidhje me këtë pistë ish-gjyqtari është shprehur se djali i ka rrëfyer përciptazi për një konflikt borxhi, por diçka e vogël dhe nuk i ka dhënë detaje as për shifrën dhe as për personat me të cilin e kishte këtë konflikt.

Pista tjetër është ajo e babait të viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, i cili ka pasur disa nga çështjet e personave të inkriminuar dhe me peshë në botën e krimit, ai madje ka dhënë edhe disa dënime me burg të përjetshem.


Shtuar 21.11.2024 11:08