Zbardhen anëtarët e Komisionit hetimor të PD, Alibeaj rrëfen 9 “provat” për fitoren e PS-së në 25 prill

Nënkryetari i PD-së Enkelejd Alibeaj ka paraqitur 9 shkaqet për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Alibeaj ka folur pas dorëzimit të kërkesës për ngritjen e Komisionit Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Sipas Alibeaj, është detyrim i Partisë Demokratike që të hetojë dhe bëjë publike të gjithë skemën e vjedhjes sipas tij, të zgjedhjeve të 25 prillit.

I pyetur nga gazetarët nëse ngritja e komisioneve bëhet me qëllim për të zbutur përplasjet brenda PD, Alibeaj e mohoi një fakt të tillë.

Deklarata e Alibeaj:

Së bashku me kolegët kemi dorëzuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për masakrën zgjedhore që ndodhi në 25 Prill. Është një nevojë ulëritëse që sistemi demokratik kërkon, disa nga çështjet kryesore që meritojnë dhe do të hetohen, në transparencë të plotë me publikun:

Mbyllja e kufijve, duke iu bërë të pamundur emigrantëve votimin

Legalizimi i 10 mijë banesave

Shtesa e ndihmës ekonomike vetëm disa muaj para zgjedhjeve, 20 mijë familje u rifutën në skemë, për tiu blerë votat përmes varfërisë

Punësimi i më së paku 13 mijë shqiptarëve me kontrata të përkohshme, në këtë vend që vetëm ikin njerëzit për shkak të papunësisë.

Rritja e rrogave për administratën, e cila është kthyer në një skuadër të PS, këta njerëz përdoren vetëm në periudhën e fushatave zgjedhore

Do të hetohen 120 milionë të asfaltit elektoral

Do të hetohen 505 milionë tendera, koncensione, që 878 kontrata, në vitet e tjera ka qenë një shifër tre herë më e vogël. Periudha pas pandemisë, ku lëngonte familja shqiptare, por u gjetën paratë për tiua shpërndarë një grupi të madh njerëzish të përzgjedhurish, të cilët punuan në fushatë për qeverinë.

Fondet publike për tërmetin, fatkeqët dy dimra i kaluan jashtë, dhe u bënë me shtëpi vetëm disa javë para zgjedhjeve

Do të hetohet dhe ajo që është qershia mbi tortë, do të hetohet spiunazhi modern.

Në 2021 në këtë vend edhe njëherë rikthehen makthet e regjimit të para 90-tës.

Emrat e PD në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit:

Enkelejd Alibeaj – Kryetar

Gazment Bardhi

Oerd Bylykbashi

Sorina Koti

Ferdinand Xhaferi

Ervin Salianji

Kreshnik Collaku/albeu.com