Kryeministri i vendit, Zoran Zaev sot në konferencë përbashkët me kreun e Alternativës, Afrim Gashi tha se është arritur marrëveshje për shumicë stabile.
“Shumicë stabile parlamentare dhe qeveri stabile do të thotë se koalicioni qeveritar ndërmerr përgjegjësinë për një të ardhme të sigurt si për shtetin ashtu edhe për qytetarët”, tha Zaev duke sqaruar se arsyeja e arritjes së kësaj marrëveshje ka ardhur për shkak të interesit të qytetarëve.
Sipas tij, marrëveshja e arritur është garancë se ka shumicë që do të punojë në zgjidhjen e sfidave aktuale siç janë procesi i bisedimeve për anëtarësim në BE, përkatësisht zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, menaxhimin me COVID-19 dhe kriza globale energjetike.
“Në Maqedoninë e Veriut ka shumicë stabile parlamentare dhe jemi të gatshëm me dialog dhe në mënyrë evropiane ta tejkalojmë problemin dhe ta ruajmë miqësinë tonë midis dy vendeve dhe dy popujve, tha Zaev duke iu drejtuar Bashkimit Evropian dhe Bullgarisë.
Zaev po ashtu sqaroi se Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Infromatike dhe Administratës si dhe Ministrinë pa resor për Diasporë. Alternativa, shtoi Zaev, do të ketë edhe tre zv.ministra në Arsim, Kulturë dhe pozita e tretë ende nuk dihet, por ka gjasa të jetë bujqësia.
“Alternativa do të ndërmerr përgjegjësi në insitutcionet në nivel qendror siç janë Mepso, Fondi për Sigurim Pensional, Hekurudhat, Spitalin e Tetovës, Agjencinë për Investime të Huaja etj”, tha Zaev.
Zaev tha se me këtë marrëveshje nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme kuvendare dhe se vendit nuk i nevojiten zgjedhje të parakohshme./Telegrafi.