Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për përpjekjet e mazhorancës për të ndaluar Partinë Demokratike të futet në zgjedhje me logon e vetë, të cilës ai i referohet si “marrja e flamurit të PD”.
Berisha tha se PD nuk do të pranojë “të shkelmohet”, ndërkohë që u shpreh se ambasadorja Yuri Kim, e cila njeh Enkelejd Alibeajn si kryetar në detyrë të PD-së, “mban qëndrime jo parimore dhe korruptive”.
Berisha deklaroi gjithashtu se George Soros ka “lobuar me 10 milionë dollarë për kthimin në detyrë të një ambasadori”.
“Së pari jam dakord, është një problem themelor për shoqërinë shqiptare, jo vetmë për Partinë Demokratike. Cili është thelbi i këtij problemi? Thelbi ishte asgjësimi i opozitës. Gjatë këtyre nëntë muajve, është arritur që opozita të ngrihet në këmbë, të ishte ajo që patë në 12 nëntor, por nga ana tjetër, Edi Rama vijon përpjekjet më kriminale pasi ka vendosur monizmin absolut në Shqipëri, kërkon të asgjësojë edhe opozitën.
Ka sjellë opozitën e vërtetë para një betejë për jetë a vdekje. Është betejë për jetë a vdekje e opozitës shqiptare. Është shumë e vërtetë, që gjithçka u bë në këto zhvillime që tejkalojnë çdo lloj imagjinate në romane, u bë për të patur një pseudo opozitë në funksion të Edi Ramës.
Në funksion janë qëndrimet aparimore, korruptive, të zonjës Yuri Kim, e cila i lejon vetes të thotë nuk njoh votën, nuk njoh vullnetin e shumicës dhe e bën këtë jo sepse Amerika nuk është e principeve, është e parimeve, por ka një George Soros në mes, që kur të nxjerrin jashtë qeverie, siç ka bërë me paraardhësin e saj, lobon me dhjetë milionë për ty dhe të rikthen ambasador. Ne nuk e ndryshojmë Amerikën, por cfarë bëjmë ne? Me vendosmëri absolute unë luftoj që shqiptarët të kenë opozitë.
Edi Rama nuk heq dorë, ju njihni shumë por askush nuk njeh sa unë ligësitë e tij të pafundme. Edi Rama publikisht kërkon ti marrë flamurin opozitës.
Këtu ka një njeri, Edi Rama, ndaj dhe PD do të merret vetëm me Edi Ramën.
Partia Demokratike ka një problem fondamental për të zgjidhur. Do të pranoj ajo të shkelmohet, apo do ti qëndrojë këtij dhëmbë për dhëmbë dhe në mënyrën më të merituar? Jam për variantin e dytë”, deklaroi Berisha./tpz