Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar sot pezullimin e çështjes “Xibraka” nga SPAK. I ftuar në emisionin “Open” në News24, Bardhi tha se prokurori i rastit, pas ngjarjes së Elbasanit, doli në një konferencë për mediat dhe u rreshtua me propagandën e Partisë Socialiste, duke thënë se nuk ishte gjetur asnjë material zgjedhor në automjetin që shkaktoi incidentin. Sipas Bardhit, më pas ky prokuror ka ndryshuar qëndrim dhe ka pohuar të kundërtën e deklaratave të tij fillestare.
Ai shtoi se në 10 maj 2024 ka kërkuar largimin e prokurorit të përfshirë në këtë rast, duke argumentuar se nuk kishte besim te ai. Sipas Bardhit, kërkesa e tij për ndërhyrje nuk u mor parasysh nga autoritetet, me arsyetimin se ai nuk është një person i interesuar në këtë çështje.
“Hetimet mbi çështjen u kryen po nga ky prokuror, i cili kishte ngarkesë politike. Ai ka fshehur identitetin e katër personave të përfshirë në ngjarje, të cilët ishin të armatosur dhe qëlluan të parët. Nuk kam të dhëna që ai është i korruptuar, por në çështjet me ngarkesë politike, ai është një ushtar i partisë në pushtet dhe manipulues i çështjeve që heton,” deklaroi Bardhi.