Vuçiç pas takimit: Nuk e di çfarë do të bëjmë, Kurti është kthyer në shekullin e 19-të

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për mediat pas takimit të dytë me kryeministrine  Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiç e cilësoi takimin e sotëm në Bruksel si të keq dhe tha se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja.

Aty ishin tri pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht” tha Vuçiç.

Sipas Vuçiç, Kurti kishte zgjedhur të fliste më shumë për të kaluarën.

“Njerëzit në BE nuk besojnë në ato që po dëgjojnë. Burri është kthyer në shekullin e 19-të. Siç mund ta shihni, unë jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Vuçiç.

I pyetur nëse pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare, ai tha: “Është shumë e vështirë kur flet me njerëz irracionalë. Është shumë e vështirë. Ai thotë se ata nuk e kuptojnë që kishte krime nga të dy palët, ndërsa Serbia e kupton atë”./albeu.com