Në Beograd të Serbisë po mbahet samiti dyditor që shënon 60-vjetorin e konferencë së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.
Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA).
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalën e tij hyrëse tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja rrugë për mirëqenien dhe përparimin e njerëzimit.
“Beogradi ishte, është dhe do të jetë nikoqiri i të gjithë atyre që përçojnë mesazhin e paqes”, tha Vuçiç duke shtuar se Serbia është “një promovuese e idesë së multilateralizmit”.
Vuçiç gjatë fjalimit të tij foli edhe për çështjen e Kosovës. Ai tha se Serbia “lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, mbron të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kombeve të Bashkuara” dhe se është “e angazhuar për dialog” me Kosovën.
“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është çelësi për sukses në dialog pasi ai nuk ka alternativë”, tha Vuçiq./REL