Vuçiç i përgjigjet Macronit nga Kina: E kemi dënuar sulmin në Banjskë, e lus ambasadorin francez t’ia çojë deklaratat

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kinë, ka komentuar deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili i ka kërkuar që të dënojë qartë sulmin terrorist të Banjskës.

Vuçiç ka thënë se “e ka bërë një gjë të tillë qysh atë ditë”, dhe ka kërkuar që ambasadori francez në Beograd, Pierre Cochard, t’ia përcjell ato deklarata presidentit francez.

“Faleminderit Macron për shumë gjëra të tjera. Kur është fjala për kërkesën e tij për të dënuar ngjarjen në Banjska – ne e bëmë atë në të njëjtën ditë. Po i kërkoj ambasadorit francez në Serbi Cochard t’i dërgojë disa nga ato deklarata. Mendoj se edhe ia kam thënë, është e rëndësishme që ne të përpiqemi t’i zgjidhim gjërat me dialog”, ka thënë kreu i shtetit serb.


Shtuar 17.10.2023 18:03