Vrau rapsodin dhe mikun e tij në Lezhë, mbyllen hetimet për Edmond Përdodën, para dy javësh vëllai iu dënua me burgim të përjetshëm

Prokuroria mbyll hetimet për Edmond Përdodën, i akuzuar për vrasjen e rapsodit dhe mikut të tij në Lezhë! Dy javë më parë vëllai i tij u dënua me burgim të përjetshëm

Dy javë pas dënimit me burgim të përjetshëm të Aleksander Përdodes, Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet për të vëllain Edmond Përdoda edhe ky i akuzuar i përfshirë në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj të Njësisë Administrative të Kolshit.

Të lidhura

None found

Edhe ndaj Edmond Përdodes, prokuroria ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armbajtje pa leje”. Dosja penale është mbyllur dhe brenda pak ditësh organi i akuzës do ta dërgojë në gjykatë, ku do të hidhet në short për të nisur gjykimin paraprak. Pas gati vitesh në arrati, Edmond Përdoda u arrestua në muajin shkurt të këtij viti në banesen e tij në fshatin Lalm i Ri të Lezhës. Për prangosjen e Përdodës, krahas policisë së Lezhës ishin dhe Forcat RENEA.

Pas arrestimit ai pranoi autorësinë e vrasjes së dyfishtë, duke treguar dhe vendin ku kishte fshehur armët e krimit, të cilat ishin groposur në mal pak metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa mohoi përfshirjen e të vëllait Aleksander Përdoda në këtë krim të dyfishtë, duke deklaruar se kishte vepruar i vetem. Por nga veprimet hetimore dhe provave të grumbulluara, prokruroria e Lezhës doli në konkluzionin se në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni janë përfshire të dy vëllezërit Përdoda, pavarësisht se Aleksander Përdoda i cili u dënua nga Gjykata e shkallës së parë në Lezhë me burgim të përjetshëm e ka mohuar në vazhdimësi përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe madje vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër. Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Lukaj, të Njësisë Administrative të Kolshit.