Vrau Martin Ndrecën për rakinë, 30 vite burg për Ndue Zefi

Gjykata e Apelit Durrës ka dënuar me 30 vite burg Ndue Zefin, për një vrasje për arsye banale në 2019-tën. Por pavarësisht vendimit të ashpër nga gjykata, familjet Zefi dhe Ndreca duket se kanë hyrë në një kalvar gjakmarrjeje, pasi 8 muaj pas krimit të parë, vëllai i autorit u gjet i ekzekutuar në Fan të Mirditës.

Me 30 vite burg është dënuar Ndue Zefi, i cili më 23 shkurt të 2019-s ekzekutoi me armë zjarri automatik 45-vjeçarin Martin Ndreca në Durrës.

Ngjarja nisi për arsye krejtësisht banale, si një konflikt verbal për çështjen e rakisë në ambientet e një lokali, duke vijuar më pas me një përplasje fizike mes tyre.

Pas këtij moment, autori Ndue Zefi u largua nga ambjentet e lokalit duke shkuar në banesë, ku edhe mori armën e krimit.

Ai priti deri në momentin që viktima Martin Ndreca ka dalë nga lokali bashkë me djalin 10-vjeçar dhe qëlloi me breshëri ndaj tij.

Fatmirësisht plumbat nuk kapën të miturin, por 45-vjeçari ndërroi jetë në vend.

Poçaria “në zhdukje”, Ali Gega ruan prej brezash traditën në këtë sektor të artizanatit
Tre ditë pas krimit, Ndue Zefi u vetëdorëzua në polici, duke pretenduar se krimin e kishte kryer në gjëndje të dehur.

Por Gjykata e Apelit Durrës nuk e ka marrë parasysh këtë pretendim, duke e shpallur fajtor për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”, duke e dënuar me 30 vite burg.

Por kjo ngjarje e rëndë e shkurtit të 2019-s, dyshohet se filloi edhe një histori gjakmarrjeje, pasi 8 muaj më pas, në 2 tetor 2019, në fshatin Zallë-Xhuxhë në Fan të Mirditës është gjetur i vrarë me disa plumba, vëllai i Ndue Zefit, 34-vjeçari, Eri Zefi.

Për ekzekutimin e 34-vjeçarit, deri më sot policia e Lezhës ka identifikuar dhe arrestuar, Mikel alias Gjovalin Alia, ndërsa dy persona të tjerë, janë shpallur në kërkim pasi janë larguar nga territori shqiptar.


Shtuar 24.06.2021 19:50