Pasi ka kaluar fiks një vit pas vrasjes së shtetases shqiptare Liljana Buzo nga ish-bashkëshorti i saj, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim bashkëshortin e saj, Koço Buzo.
58-vjeçari, ish-polic qëlloi me breshëri automatiku gruan e tij me të cilën ishte në proces gjyqësor, në sytë të djalit të tyre.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 6 maj të vitit të kaluar, në afërsi të Gjykatës së Elbasanit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se sot më datë 06/05/2022 ka përfunduar hetimi dhe është dërguar për gjykim procedimi penal nr. 535, për ngjarjen e ndodhur më datë 06/05/2021 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me të pandehur shtetasin:
Koço Buzo hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” me akuzën e ngritur për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të parashikuara nga nenet 79 gërma “e” dhe “ë”, e 22, 79/c, 274 dhe 278/1 të Kodit Penal, ku mbeti viktimë bashkëshortja e autorit, shtetësja Liljana Buzo si dhe mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Toçila dhe Adriatik Kolaj.
Ngjarja i referohet datës 06/05/2021 në të cilën në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan i pandehuri Koço Buzo vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij Liljana Buzo, me të cilën ishte në proces divorci./albeu.com/