Vrau 4 oficerët e policisë, Dritan Dajti kërkon lirimin nga burgu: E kam përfunduar dënimin

Dritan Dajti, është një nga personazhet më të njohur të botës së krimit. Ai ka kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin se i ka mbaruar dënimi me 25 vite burgim, vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit, e cila i pranoi gjykimin e shkurtuar.

Pasi realizoi një breshëri kërkesash në Gjykatën e Lartë, për të përjashtuar anëtarët e Gjykatës Medi Bici dhe Sandër Simoni, me qëllim shpëtimit nga dënimi me burg përjetë, tashmë Dritan Dajti, ka zgjedhur një strategji tjetër, me qëllim nxjerrjen “nul” të vendimit të Gjykatës së Lartë.

Dritan Dajti, i dënuari nga Gjykata e Lartë me burgim të përjetshëm, për akuzën e vrasjes së 4 punonjësve të strukturës operacionale në Policinë e Shtetit, i është drejtuar me dy kërkesa, gjykatës së Elbasanit dhe Drejtorisë së Burgut Peqin, duke kërkuar lirimin nga qelia pasi ai ka përfunduar dënimin me 25 vite burgim.

Dajti, pretendon se vendimi i Gjykatës së Lartë, që mban datën 11 Qershor 2024, nuk është i formës së prerë dhe për pasojë nuk mund të shtrijë efektin për mbajtjen në qeli me masën e dënimit burgim të përjetshëm.

Në fakt ky është një ekuacion juridik që po e teston vetëm i dënuari Dritan Dajti, pasi dihet botërisht që vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendimi të ekzekutueshme dhe që kanë vlerën e formës së prerë.

Por pavarësisht kësaj, Dajti ditën e djeshme ka depozituar dy kërkesa në Gjykatën e Elbasanit dhe Drejtorinë e Burgut të Peqinit, duke kërkuar nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit dhe lirimin e menjëhershëm të tij nga qelia, pasi vendimin me 25 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ai e ka shlyer totalisht.

Sipas Dritan Dajtit, vendimi i datës 8 shkurt 2019, ka marrë formë të prerë sot në datën 4 korrik 2024, ditë kur sipas llogaritjeve dhe vlerësimit të deklaruar nga vetë gjykata në këtë vendim, Dritan Dajti përfundon kryerjen e dënimit me 25 vjet burgim.

Por nga ana tjetër Gjykata e Lartë, në 11 qershor vendosi të prishë vendimin e Apelit për Krime të Rënda të datës 8 shkurt 2019, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në kërkesën drejtuar drejtorit të burgut Peqin, Florenc Doka, Dajti shprehet se: “…kërkon lëshimin e urdhrit për kryerjen e procedurës së lirimit të dënuarit Dritan Dajti, për shkak se ai në datë 4 korrik 2024, përfundon ekzekutimin e vendimit të dënimit me 25 vjet burgim…”.

Në pikën e dytë të kërkesës shprehet se: “…kërkon pajisjen e të liruarit Dritan Dajti me një vërtetim në të cilin saktësohen kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion…”.

Dhe në pikën e tretë të kërkesës Dritan Dajti kërkon: “...lëshimin e vërtetimit me të dhëna për aftësimin profesional të fituar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, si dhe për qëndrimin dhe sjelljen e tij brenda institucionit…”.

Krimet e Rënda, kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Ilir Duçkollarit.

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.

Krimet e Rënda kundërshtuan në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që dënoi Dajtin në 2019 me 25 vite burgim.


Shtuar 5.07.2024 14:16