Një ditë pas vrasjes së të dënuarit Arben Lleshi dhe plagosjen e Indrit Shaqja në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit,i gjithë zinxhiri komandues është arrestuar, Nga drejtori i burgut, Kamber Hoxha, tek shefi i policisë së burgut , policë shërbimi akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj të burgosurit i cili kishte arritur të siguronte armën 20 ditë para.
Prokuroria e Elbsanit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në burgun e Peqinit, ku Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan. Mësohet se pas vrasjes së Lleshit, Mjacaj u ka drejtuar armën policëve dhe më pas është vetë-izoluar me armë në dorë në ambientet ku zhvillohen takimet me familjarët.
Në vendngjarje janë gjetur 5 gëzhoja pistolete. Ajo çfarë mësohet rishtaz, është fakti se Sokol Mjacaj ka qenë në regjimin ’41 bis’ më herët dhe më pas është transferuar në bllokun ‘B’ të sigurisë së lartë ku vuajnë dënimin personat e dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjatë transferimi të tij në bllokun e sigurisë, nuk është kontrolluar për asnjë moment dhe ky dyshohet të jetë momenti kur Sokol Mjacaj ka arritur të fusë në burg armën të cilën e ka mbajtur brenda qelisë por edhe në ajrim.
Për ngjarjen është vënë nën hetim drejtori i policisë dhe 11 punonjës të zinxhirit komandues nën veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” të parashikuar nga nenet 79/dh, 278/1, 248 dhe 324/a/2 i K.Penal.