Vrasja e 56 vjeçarit shqiptar nga Berati, Thimi Prifti në Athinë ditën e djeshme, 30 nentor, dyshohet se është urdhëruar nga burgu. Mediat greke shkruajnë se viktima ishte një person i rëndësishëm i trafikut të drogës në Greqi dhe se kishte krijuar rivalitete gjatë kohës që kishte qenë i burgosur për trafik të lëndëve narkotike.
Hera e fundit që 56 vjeçari u arrestua, ishte në vitin 2023 dhe u lirua me kusht.
Ai u ekzekutua mbrëmë rreth orës 21:00 poshtë shtëpisë së tij Palaio Faliro të Athinës. Prifti u dërgua në spital por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra nga 3 plumba.
Për ngjarjen ka folur edhe një prej fqinjëve të 56 vjeçarit, duke shpjeguar sesi ndodhi ekzekutimi i shqiptarit para shtëpisë së tij. Fqinji tregon se një person me motor ndaloi para Thimi Priftit, hoqi kaskën e motorit dhe e qëlloi me pistoletë.
“Ishte një këmbësor që e qëlloi. Burri erdhi, parkoi motorin, hoqi kaskën dhe autori e qëlloi. Një plumb ka rënë edhe në katin e parë. Në atë kohë një qiramarrës po dilte nga pallati me qenin e tij. Njeriu i goditur nga plumbat e pa në derë fqinjin me qenin që i hapi derën dhe më pas e futi në shkallë. Ai ra atje poshtë. Në momentin që ndodhi ngjarja, unë kisha mbaruar dhe isha duke bërë disa punët e fundit dhe një fqinj erdhi me vrap dhe më tha ‘mirë, nuk ke dëgjuar gjë?’ Ata qëlluan një burrë, tani ja ku është’. Dola dhe pashë një burrëtë shtrirë. E kishin vënë në hyrje të pallatit”- u shpreh fqinji.
Mediet greke raportojnë se ai rezulton i dënuar më parë si anëtar i një organizate kriminale, për trafikim lëndësh narkotike. Po kështu mediat greke shkruajnë se ai ishte përfshirë në trafik të paligjshëm cigaresh dhe falsifikim dokumentesh.
Viktima u qëllua në gjoks dhe u dërgua i gjallë në spital, por vdiq pak më vonë. Sipas raportimeve, kanë qenë dy autorë që kanë marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit.
Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e autorit i cili ishte i maskuar dhe u largua me një motoçikletë ndërsa në vendngjarje u gjetën 2 gëzhoja 9 mm./albeu.com