Fenomeni “Liqeni i Ftohtë” pritet të shkaktojë stuhi e përmbytje në Greqi, mund të përfshijë edhe vendin tonë

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje katastrofike në Europen Perëndimore, por një gjë e tillë parashikohet të ndodhë edhe në rajon, me shumë gjasa do të përfshijë edhe Shqipërinë në ditët në vijim.

Sinoptikani grek Costas Lagouvardos ka parashikuar për ditën e dielë ndryshime të forta klimatike në rajon. Fenomeni i quajtur ‘Liqeni i ftohtë’ i cili shkaktoi përmbytjet vdekjeprurëse në Gjermani dhe Belgjikë dhe po drejtohet drejt Greqisë, por edhe vendit tonë.

Masat e ftohta të ajrit do të krijojnë paqëndrueshmëri të fortë, e cila do të përkthehet në reshje shiu, stuhi dhe madje breshër edhe në Ballkan. I pyetur në lidhje me zonat që do të prektë fenomeni i “liqenit të ftohtë”, sinoptikani Lagouvardos tha se do të prekë kryesisht pjesën qendrore dhe veriore të Greqisë, pra në kufi me Shqipërinë, ndërsa ishujt, me shumë gjasë, nuk do të kenë probleme.

“Një pjesë, me sa duket, do të ndikojë në vendin tonë (Greqi) me paqëndrueshmëri nga e diela e në vazhdim, dhe veçanërisht të hënën, të martën dhe të mërkurën. Domethënë, javën që nis do të ketë reshje shiu dhe stuhi në disa zona, kryesisht në mesditë dhe pasdite, të cilat do të vijnë pjesërisht për shkak të kësaj paqëndrueshmërie të përgjithshme. Ne mund të parashikojmë disa zona, por për shkak se këto fenomene janë gjithashtu lokale, është shumë herët për t’i karakterizuar. Ne do të kemi një pamje më të mirë gjatë fundjavës se çfarë do të ndodhë javën e ardhshme” theksoi ai


Shtuar 17.07.2021 18:01